365 – Cunami që shkatërroi Aleksandrinë dhe rrënjët e një qyteti legjendar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Më 21 korrik të vitit 365 pas Krishtit, një ngjarje natyrore katastrofike goditi brigjet lindore të Mesdheut: një tërmet, mendohet me magnitudë rreth 8 ballë sipas shkallës Rihter, me epiqendër në afërsi të Kretës, shkaktoi një cunam të tmerrshëm që preku rëndë qytetin e Aleksandrisë në Egjipt. Dallgët përfshinë pjesën më të madhe të deltas së Nilit dhe bregdetit egjiptian, duke shembur godina, rrënuar portet dhe marrë jetën e rreth 50 mijë njerëzve, një nga humbjet më të mëdha të regjistruara në botën antike nga një fatkeqësi natyrore.

Ngjarja është dokumentuar nga burime të kohës, përfshirë historiani Ammianus Marcellinus, i cili përshkruan se si deti “u tërhoq papritur”, duke zbuluar shtratin e tij, dhe më pas u kthye me forcë shkatërruese, përmbytës dhe vdekjeprurëse.

Por Aleksandria nuk ishte një qytet i zakonshëm. E ndërtuar mbi një truall pjellor e strategjik midis Mesdheut dhe Liqenit Mariut (sot Mariut), ajo ishte një ndërmarrje urbane e ideuar për lavdinë e Aleksandrit të Madh, i cili e themeloi atë në prill të vitit 331 para Krishtit, gjatë fushatës së tij në Egjipt.

Dinokrati dhe vizioni i qytetit ideal

Arkitekti kryesor i Aleksandrit për këtë projekt ishte Dinokrati i Rodosit, një figurë enigmatike, por gjeniale e antikitetit. Para se të zgjidhej delta e Nilit si vendndodhje e qytetit, Dinokrati i propozoi Aleksandrit një ide shumë më madhështore dhe mitike: të ndërtohej një qytet mbi malin Athos (në Greqinë e sotme), dhe në të njëjtën kohë të gdhendej në faqen e malit një skulpturë gjigante e Aleksandrit, me një qytet të vogël në njërin krah dhe një lumë apo kanal detar që do rridhte nga dora tjetër – një vepër që do sfidonte vetë natyrën dhe perënditë.

Këtë ide ambicioze e përshkruan Vitruviusi, arkitekt dhe inxhinier romak i shekullit I p.e.s., në veprën e tij të famshme “De Architectura” – traktati i vetëm mbi arkitekturën e lashtësisë që ka mbijetuar deri më sot. Sipas tij, Dinokrati e kishte projektuar monumentin si një simbol të përjetshëm të lavdisë së mbretit.

Lexo edhe :  1976 – Lojërat Olimpike në Montreal nën hijen e bojkotit afrikan

Por Aleksandri, përkundër pasionit për madhështinë, ishte edhe një strateg i mprehtë. Ai e hodhi poshtë idenë, duke i vënë në dukje Dinokratit se projekti i tij nuk kishte marrë në konsideratë jetën reale të banorëve: “Ku do të mbillnin grurë?” – pyeti Aleksandri, duke i kërkuar që të gjente një vend më të jetueshëm dhe të përshtatshëm për një qytet të madh. Kështu lindi ideja për Aleksandrinë, pranë deltës së begatë të Nilit, në një vend ku deti takonte tokën pjellore dhe ku tregtia, kultura dhe shkenca do lulëzonin për shekuj me radhë.

Trashëgimia e Dinokratit

Përveç vizionit të tij për Aleksandrinë dhe malin Athos, Dinokrati është përmendur edhe si projektues i varrit madhështor të Filipit II, babait të Aleksandrit, në Vergina të Maqedonisë. Edhe pse monumenti nuk u përfundua plotësisht, ai konsiderohej një ndërmarrje e shkëlqyer për kohën e vet, që bashkonte arkitekturën, simbolikën dhe pushtetin në një strukturë të vetme.

Aleksandria pas cunamit

Pas cunamit shkatërrues të vitit 365, Aleksandria arriti të ringrihej, por trauma e humbjes ishte e madhe. Qyteti, dikur një nga qendrat më të ndritura të dijes dhe kulturës në botën antike – me Bibliotekën e famshme dhe Farin e Aleksandrisë – u përball me sfida të reja politike, ekonomike dhe natyrore në shekujt që pasuan. Megjithatë, fama e tij si qyteti i themeluar nga Aleksandri dhe projektuar nga Dinokrati, mbeti e gjallë dhe vazhdon të jetë pjesë e trashëgimisë botërore.

Përgatiti: L.Veizi

Të fundit

Shërbime dentare me preparate të skaduara/ Arrestohen 2 dentistë, procedohen 12 të tjerë

Policia e Shtetit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Siguria Dentare”, të zhvilluar nga Sektori për Hetimin...

Shqiptarëve u shtohet një pasuri kombëtare: Dollia. Me fund…

Nga Leonard Veizi Tani që dollia u kthye në art, për shqiptarët s’do ketë më frerë. – Me fund! Sepse Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ka...

Këshilli Bashkiak pritet të miratojë shembjen e 3 pallateve në Kombinat e Kinostudio

Rreth 6 vite pas ngjarjes së tërmetit të 26 nëntorit 2019, në Tiranë pritet të ndërhyhet për shembjen e detyruar të 3 pallateve të...

Përplasjet Lapaj-Shabani, Elena Kocaqi: Politika shqiptare vuan nga mungesa e burrërisë

Kryetarja e Aleancës Kombëtare Shqiptare, Elena Kocaqi, ka komentuar përplasjen e fundit për mandatin e vetëm të “Nisma Shqipëria bëhet” mes Endri Shabanit dhe...

Buxheti/ Sa para do të marrin bashkitë nga qeveria! Kush do të jenë përfitueset kryesore

Qeveria shqiptare ka miratuar ndarjen e transfertës së pakushtëzuar për të gjitha bashkitë e vendit për vitin 2025, në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm...

Lajme të tjera

Web TV