Më 22 korrik 1209, qyteti i Béziers në Languedoc (jug i Francës së sotme) u sulmua dhe u shkatërrua brutalisht nga forcat e kryqëzatës të thirrura nga Papa Inocenti III. Kjo masakër shënoi fillimin e Kryqëzatës kundër Albigensëve, një nga fushatat më të përgjakshme të Mesjetës në Evropën Perëndimore.
Kryqëzata dhe Masakra në Béziers
Papa Inocenti III nisi këtë kryqëzatë me qëllim zhdukjen e një herezie që po përhapej me shpejtësi në rajonin e Languedoc-ut. Ky rrymë fetare, e njohur si Katharizmi (nga greqishtja katharos, që do të thotë “i pastër”), predikonte një teologji dualiste, sipas së cilës ekzistonte një luftë midis forcave të mirës (shpirti, Zoti) dhe të ligës (materia, bota fizike).
Qyteti i Béziers, një nga qendrat më të rëndësishme të këtij besimi, u refuzua t’u dorëzohej forcave të kryqëzatës. Si pasojë, ushtria papnore sulmoi qytetin dhe vrau pa dallim banorët, si heretikë ashtu edhe katolikë. Sipas dëshmisë së një kronikani cistercian, kur komandanti pyeti se si të dallonte heretikët nga besimtarët, përgjigja e famshme ishte: “Caedite eos. Novit enim Dominus qui sunt eius” e cila në shqip vjen: “Vritini të gjithë; Zoti i njeh të vetët”.
Katharizmi dhe Lidhjet me Ballkanin
Katharizmi nuk ishte një rrymë lokale e izoluar, por kishte rrënjë në Lindje, në lëvizje të tjera dualiste si: Paulicianizmi në Armeni
Bogomilizmi në Ballkan (veçanërisht në Bullgari dhe territorin e Shqipërisë mesjetare)
Këto lëvizje, të cilat shihnin Kishën zyrtare si të korruptuar dhe materialiste, u përhapën në Evropën Perëndimore përmes kontakteve tregtare dhe shpërnguljeve.
‘Albanenses’ dhe Shqipëria në këtë histori
Sipas Enciklopedisë Katolike, botimi i vitit 1913, Albanenses ishin një grup katharësh me origjinë nga Shqipëria, që besohet se kanë qenë aktivë qysh në shekullin VIII. Të përndjekur për bindjet e tyre dualiste, ata emigruan drejt Italisë dhe më pas u vendosën në jug të Francës – pikërisht në ato territore ku më vonë u përhap katharizmi në formën e Albigensëve (emër që lidhet me qytetin Albi).
Ky fakt hedh dritë mbi një lidhje të hershme shqiptare me rrymat alternative të krishterimit, qëndresa ndaj autoritetit fetar dhe përhapja e ideve dualiste në Evropë.
Pasojat e Kryqëzatës kundër Albigensëve
Kryqëzata zgjati rreth 20 vjet (1209–1229) dhe solli një shkatërrim të madh në rajonin e Languedoc-ut. Vlerësimet flasin për afro 1 milion të vrarë, përfshirë civilë, besimtarë të thjeshtë dhe prijës lokalë.
Përfundimisht, katharizmi u zhduk si një rrymë fetare, por ndikimi i tij – si një simbol i qëndresës ndaj dogmës dhe pushtetit klerikal – mbetet i thellë në historinë e Perëndimit.
Përgatiti: L.Veizi