SPAK ka dërguar për gjykim 29 të pandehurit, përfshirë pedagogë, staf akademik dhe biznesmenë, të cilët dyshohen për përfshirje në abuzime me tenderat në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Ndaj të pandehurve rëndojnë akuzat për “shkelje të barazisë në tendera” dhe “shpërdorim detyre”, në kuadër të procedurave të zhvilluara për prokurime publike në këtë institucion arsimor. Aktualisht, dosja penale po përgatitet për t’u dërguar në gjykatë.
Sipas SPAK, hetimet, të nisura më 21 tetor 2022, zbuluan një skemë të mirëorganizuar, në të cilën zyrtarë të nivelit të lartë akademik, përfshirë 2 zëvendësrektorët Ilir Kapaj e Romina Kotaj, dhe administratorin, Edmond Tërthorja në bashkëpunim me biznese manipuluan procesin e prokurimeve publike, duke favorizuar firmat “Krijon” sh.p.k, “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”. Bëhet fjalë për 9 procedura tenderimi, të zhvilluara në vitin 2022, me një vlerë prokurimi prej 900 mijë eurosh.
Hetimet zbuluan se këto firma jo vetëm favorizoheshin dhe paracaktoheshin në tendera, por edhe bënin oferta fiktike në emër të bizneseve të tjera për të fryrë vlerën e tenderave. SPAK thote se hetimet zbuluan se përgatitja e dokumentacionit për fondet limit dhe specifikimet teknike ishin bërë në koordinim të plotë me fituesit e paracaktuar të tenderave, ndërsa nuk bëhet asnjë analizë reale të tregut.
Dokumentet hetimore tregojnë se pajisjet dhe mallrat e tenderuar ishin siguruar nga operatorët fitues disa muaj përpara shpalljes së procedurave, duke treguar se fituesit ishin vendosur paraprakisht. Ky manipulim ka përfshirë edhe anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë ndihmuar në përzgjedhjen e fituesve të paracaktuar. m.p.