22 korrik 1934
Nga Leonard Veizi
Për jetën e tij është realizuar një film i jashtëzakonshëm, dhe roli kryesor interpretohet nga një aktor po aq i jashtëzakonshëm. Në filmin “Armiqtë Publikë” (Public Enemies), i publikuar në vitin 2009 me regji nga Majkëll Man (Michael Mann), roli i Xhon Dillingerit luhet mjeshtërisht nga Xhoni Dep (Johnny Depp).
Rolin e Melvin Përuisit (Melvin Purvis) – agjenti i FBI-së që udhëhoqi operacionin për kapjen e Dillingerit – e interpreton Kristian Bejl (Christian Bale), ndërsa Marion Kotijar (Marion Cotillard) luan rolin e Bili Fërshetit (Billie Frechette), të dashurës së Dillingerit.
Filmi është një dramë kriminale bazuar në ngjarje reale dhe pasqyron periudhën kur Dillinger ishte “armik publik nr. 1”, duke shpalosur përndjekjen e ashpër nga FBI-ja, aktivitetin e tij kriminal, marrëdhëniet e tij personale dhe fundin tragjik.
Filmi është vlerësuar për stilin vizual tërheqës, të realizuar me kamera digjitale, dhe për përpikmërinë në rikrijimin e atmosferës së viteve ’30 në SHBA. Performanca e Xhoni Depit është veçanërisht e spikatur, pasi ai sjell në ekran një figurë karizmatike, por njëkohësisht të rrezikshme.
Kush ishte Xhon Dillinger?
Xhon Herbert Dillinger, një nga figurat më famëkeqe të krimit në SHBA, lindi më 22 qershor 1903 në Indianapolis, Indiana. I njohur për grabitjet e tij spektakolare të bankave dhe për stilin e tij elegant, ai u bë simboli i gangsterit të epokës së Depresionit të Madh.
Hapat e parë drejt krimit
Në moshën 20-vjeçare, më 6 shtator 1924, ai kreu grabitjen e tij të parë në një dyqan ushqimor pranë shtëpisë. Edhe pse u arrestua, u lirua falë ndërhyrjes së njerkës së tij. Ky episod ishte vetëm fillimi i një jete plot krime, grabitje dhe arratisje dramatike.
Pas një tjetër arrestimi në Dejton, Ohajo, ai u transferua në burgun e Miçiganit. Aty lidhi kontakte me kriminelë të tjerë dhe më pas arriti të arratisej. Rikthimi në botën e krimit e bëri gjithnjë e më të njohur, veçanërisht për pamjen e tij të kuruar: gjithmonë me kostume elegante dhe kapelë, ai krijoi një imazh mitik.
Nën vëzhgimin e FBI-së
Nën drejtimin e Xhon Edgar Huverit (John Edgar Hoover), FBI-ja e shpalli Dillingerin “armik publik numër 1”. Në sytë e një pjese të opinionit publik, ai shihej si një lloj “Robin Hudi” modern, sepse gjatë grabitjeve digjte regjistrat ku shënoheshin borxhet e qytetarëve të varfër – një akt që, në një kohë krize të thellë ekonomike, e bëri të fitonte simpatinë e shumë njerëzve.
Izolimi dhe rënia
Me kalimin e kohës, edhe vetë bota e krimit filloi ta shmangte, nga frika se mos tërhiqte pas vetes autoritetet. Ndërkohë, FBI po përparonte me metodat e reja hetimore dhe ishte gjithmonë një hap pas tij.
Dillinger tentoi të zhdukte gjurmët e gishtave me acid, por kjo nuk e shpëtoi. Në mars 1934 u arrestua në një hotel në Tuson, Arizona, por vetëm pak ditë më pas arratiset përsëri – këtë herë nga burgu i Kraun Pointit (Crown Point), në Indiana. Ai madje vjedh makinën e drejtorit të burgut dhe kalon kufirin shtetëror, duke kryer një krim federal – që i jep FBI-së të drejtën të ndërhyjë me fuqi të plotë.
Fund i përgjakshëm
Më 22 korrik 1934, Xhon Dillinger u tradhtua nga Ana Cumpanas – e njohur më vonë si “Gruaja me të Kuqe”, për shkak të fustanit që kishte veshur për ta identifikuar tek agjentët federalë. Ajo i dha informacion FBI-së në përpjekje për të shmangur dëbimin e saj në Rumani, por megjithatë u dëbua.
Dillinger ndodhej në Çikago, ku kishte ndjekur filmin “Melodrama e Manhattanit” (Manhattan Melodrama) në kinemanë Biograph Theater. Pasi doli nga salla, u qëllua pas shpine nga agjentët federalë – pesë plumba e lanë të vdekur në vend. Ishte vetëm 31 vjeç.
Ndikimi kulturor
Xhon Dillinger mbetet një figurë kontradiktore: kriminel i rrezikshëm për një pjesë, por hero i pashpallur për një tjetër, që sfidonte një sistem ekonomik të pabarabartë. Në SHBA, ekziston një muze kushtuar jetës dhe aktivitetit të tij kriminal.
Ai është portretizuar në shumë filma, ndër më të njohurit janë:
“Dillinger” (1945) – me regji nga Maks Nosek
“Dillinger: Armiku Publik Nr. 1” (1991), me aktorin Mark Harmon
“Armiqtë Publikë” (2009), me Xhoni Dep, regji e Majkëll Man
Epilogu
Nëse jeta e Xhon Dillingerit ishte një shfaqje e dhunshme në skenën amerikane, vdekja e tij mbetet një epilog i errët që përmbyll mitin e gangsterit më legjendar të viteve ’30.