Zjarri në malin e Dukatit në Vlorë mbetet ende aktiv, pavarësisht se një ditë më parë u raportua se ishte vënë nën kontroll.
Flakët janë përqendruar në dy vatra kryesore: një mbi fshatin Dukat dhe tjetra në drejtim të Parkut të Llogarasë. Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse, përfaqësues të Forcave të Armatosura dhe të Emergjencave Civile, të angazhuara për neutralizimin e zjarrit.
Zjarri ka shpërthyer më 5 korrik dhe që prej asaj kohe ka përpirë një sipërfaqe të konsiderueshme me pisha dhe bredha, ndërsa në disa raste ka rrezikuar edhe banesat përreth.
Për të ndihmuar në përballimin e situatës, nga Greqia, si vend anëtar i Bashkimit Evropian, kanë mbërritur dy avionë zjarrfikës, të cilët kanë ndërhyrë me hedhje uji për të ndaluar përhapjen e flakëve në drejtim të Parkut Kombëtar të Llogarasë.
Zona e Dukatit është përfshirë nga flakët prej më shumë se dy javësh. Zjarri u përhap sot, 23 korrik, me intensitet, duke iu afruar Parkut Kombëtar të Llogarasë, një prej zonave më të bukura dhe të mbrojtura të bregdetit jugor.
Ndërkohë për mikrofonin e Klan News, Prefekti i Qarkut Vlorë, Plator Nesturi, deklaroi ditën e djeshme se zjarri ka qenë tejet problematik që prej datës 6 korrik, ndërsa është riaktivizuar në 5 ditët e fundit./kb