nga Lauren Martin
Zëri i tij ishte ai që ngriti nga toka një zhanër të tërë si heavy metal, por koncerti i tij në Villa Park na kujtoi se zëri i Ozzy-t kurrë nuk ishte ulërimë apo rënkim – ishte vaj i shpirtit.
“Princi i Errësirës” për popullin, siç e quajti kritiku Alexis Petridis, e solli metalin nga hija në dritë – dhe atë të shtunë në Birmingham, publiku i metalit u mblodh në masë, me jehonën e një riti të lashtë për një perëndi në të perënduar. Turma doli nga treni i çmendur që vinte nga Birmingham, e mbushur me fanella të zeza, xhaketa xhins e lëkure të mbushura me badge dhe logo të pakuptueshme black metali. Ishte një panoramë e madhe dhe e larmishme e devotshmërisë metalhead – një tribu në margjinat e skenës muzikore botërore, por gjithmonë krenarë për zhurmën e tyre.
Ngjarja e quajtur Back to the Beginning ishte një festë njëditore e heavy metalit dhe njëkohësisht koncerti i lamtumirës për Ozzy Osbourne dhe Black Sabbath. Megjithatë, kjo nuk ishte thjesht një përmbyllje artistike. Duke parë sëmundjet e rënda që e kishin pllakosur Ozzy-n – operacione të shumta dhe Parkinson-i – publiku pyeste veten: A do të mundej ai të ngjitej në skenë? Dhe nëse po, si do të dukej ajo paraqitje? Ndjenja që përshkonte të gjithë ditën ishte si e një varrimi që ndodhte në kohë reale.
Black Sabbath kishin përballuar gjithmonë sprova. Tony Iommi, që humbi majat e dy gishtave në adoleshencë, i krijoi vetë protezat e tij për të vijuar me kitarën, duke shpikur tingullin e errët sabbathian. Geezer Butler ka folur hapur për depresionin, ndërsa Bill Ward, bateristi, ka mbijetuar nga një infarkt. Por Parkinson-i është ndryshe – një sëmundje që ia heq individit të drejtën për të qenë vetvetja, e për një artist si Ozzy, kjo është si vdekja e parakohshme e vetë identitetit të tij skenik.
Por përpara se Ozzy të shfaqej, fuqia e tij tashmë ndjehej. Grupet që performuan përpara, nga më të njohurit e deri tek më të rinjtë, hoqën dorë nga pagesat për të mbledhur fonde për spitale pediatrike, hospices dhe kërkime për Parkinson-in. Kishte një duel baterish mes anëtarëve të Blink-182, Red Hot Chili Peppers dhe Tool për këngën “Symptom of the Universe”. Yungblud interpretoi “Changes” me një intensitet shkatërrues. Ishte një festë e vëllazërisë metalike nën hijen e Ozzy-t.
Kur qielli filloi të errësohej, thirrjet “Ozzy! Ozzy! Ozzy!” përshkuan ajrin. Në skenë u ndriçua një figurë e ulur në një fron me lakuriq nate. Ishte lehtë të harroje – pas reality show-ve, murmurimave brummie dhe sjelljeve karikaturale – se ky njeri, me zërin e tij, kishte themeluar një zhanër të tërë. Humbja e tij do të ishte si të humbnim gjithçka. Por ai ishte aty, në formë më të mirë nga sa pritej, duke sfiduar kufijtë e trupit të vet me një vështrim të çmendur dhe zë që shpërthente në “Mama, I’m Coming Home” dhe “Paranoid”.
Duke e parë live, kuptova se forca e Ozzy-t kishte qenë gjithnjë në brishtësinë e tij. Zëri i tij nuk ishte kurrë një ulërimë egërsie – ishte vaj i një shpirti të zhveshur, një zë që tërhiqte njerëzit nga të gjitha anët përreth tij. Mitologjia e dekadencës, viteve në errësirë, skandalet dhe kthimet – të gjitha e kishin shtyrë drejt yllit. Por ajo natë, ai u kthye në pikën zero, tek ai moment kur kishte vënë një njoftim në gazetë për të gjetur anëtarë për një bandë. Po të mos ishte lexuar ai njoftim, ai mund të kishte mbetur John Michael Osbourne, një tjetër djalë i klasës punëtore nga Aston, në kërkim të një të vërtete të përjetshme.
Ajo që nisi si një tribut i kuruar me kujdes, u kthye në një mbrëmje lamtumire me jehonë mitike. Askush nga ne nuk e dinte atëherë, duke dalë ngadalë nga Villa Park me erën e fishekzjarrëve dhe birrës në ajër, se kishim qenë dëshmitarë të daljes më të arrirë nga skena që nga ajo e David Bowie-t. Ajo mbrëmje ia ndezi flakën e fundit Ozzy-t – dhe në të njëjtën kohë, gjithë publikut. Ai u kap pas një momenti të fundit nën dritë, një lidhje e fundit… dhe më pas, shkoi në shtëpi.
Burimi: The Guardian/ Përgatiti për botim: L.Veizi