Në prag të një takimi kyç në Skoci me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje që BE-ja të “marrë masa” urgjente për çështjen e imigracionit, përpara se të përparojnë negociatat për një marrëveshje tregtare me SHBA-në.
Duke qëndruar në resortin e tij të golfit në Turnberry gjatë një vizite private katërditore në Skoci, Trump u shpreh kritik ndaj politikave të energjisë së rinovueshme dhe imigracionit në Evropë.
“Ndalojini mullinjtë me erë,” tha ai, duke akuzuar se turbinat po “shkatërrojnë fushat dhe luginat e bukura të Evropës dhe po vrasin zogjtë”.
Për imigracionin, Trump paralajmëroi: “Më mirë të merreni me vete. Nuk do ta keni më Evropën.”
Trump pritet të zhvillojë takime me liderët evropianë dhe kryeministrin britanik Keir Starmer, ndërsa bisedimet intensive mes SHBA-së dhe BE-së vijojnë për të shmangur një luftë të mundshme tregtare.
I pyetur për progresin e marrëveshjes tregtare, Trump tha se ekzistojnë “20 pika ngërçi”, por refuzoi të japë detaje: “Nuk dua t’ju tregoj cilat janë ato.”/E.T