Ndihmat humanitare janë hedhur nga ajri në qytetin Beit Lahiya të Gazës këtë të diel, në përpjekje për të zbutur krizën humanitare që po thellohet çdo ditë e më shumë në enklavën palestineze. Izraeli njoftoi se kishte nisur zyrtarisht hedhjen ajrore të ndihmave që të shtunën, më 26 korrik, ndërsa vendet e rajonit po kontribuojnë gjithashtu në këtë operacion.
Për herë të parë pas disa muajsh, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe realizuan një mision të përbashkët ajror, duke hedhur rreth 25 tonë ndihma në Rripin e Gazës. Sipas një burimi zyrtar jordanez, kjo ndërhyrje vjen pas një pauze të gjatë në dërgimin e ndihmave përmes ajrit.
Pamje nga terreni tregojnë dhjetëra palestinezë të mbledhur me shpresën për të marrë ndihma jetike. Megjithatë, shumë prej tyre nuk arritën të përfitonin asgjë, duke shtuar zhgënjimin dhe zemërimin e banorëve.
“Që nga ora 6 e mëngjesit nuk kemi ngrënë as pirë gjë. Nuk morëm ndihma nga kamionët, pastaj na thanë se do të hidheshin ndihma nga avionët, por edhe prej tyre nuk na erdhi asgjë”, thotë për Reuters Massad Ghaban nga Beit Lahiya. m.p.