Pas zgjedhjeve të 11 majit, Endrit Shabani i kërkoi takim Adriatik Lapajt për të diskutuar mbi vijimësinë e koalicionit. Ai shfrytëzoi javët më të nxehta, ato kur kishte mundësinë e “butonit të kuq”, përdorimin e dajës së tij për të penguar mandatin e Lapajt.
Ky i fundit ishte i vetëdijshëm se mund ta humbte mandatin, nëse Shabani do të tregohej i pabesë, por duket se nuk e imagjinonte se aleati i tij ishte realisht ta bënte këtë. Për fatin e tij të keq, ashtu si edhe për fatin e keq të të gjithë koalicionit, Shabani e bëri. Ai ia hoqi Lapajt të drejtën për të shkuar në parlament.
Cilat ishin tri kërkesat e Shabanit, që ujërat të ishin të qeta? E para, ai kërkoi 1/3 e buxhetit shtetëror të “Shqipëria Bëhet”, nëse kjo parti do të merrte mandatin. Logjika e Shabanit ishin 10 mijë votat në rang kombëtar të partisë “Nisma Thurje”, si aleate e koalicionit. Deri këtu, nuk ka ndonjë tepri.
Së dyti, Shabani kërkoi që ai të ishte kandidat i përbashkët i koalicionit për zgjedhjet e Bashkisë Tiranë. Pra, kërkoi që Lapaj ta mbështeste publikisht si kandidat. Së treti, Shabani kërkoi që ai të bëhej drejtues i koalicionit për katër vitet e ardhshme.
Duke qenë se Lapaj nuk po i jepte përgjigjet që priste, Shabani kundërveproi duke shtypur “butonin e kuq”, pra duke i hequr mandatin aleatit dhe mikut të tij.
A mund ta kishte menaxhuar Lapaj më mirë situatën? Padiskutim që po. Zakonisht, politikanët luajnë me dy porta dhe ruajnë një as nën mëngë. Fare mirë, Lapaj mund t’ia pranonte të trija kërkesat Shabanit dhe, me të marrë mandatin, pas 2-3 muajsh, mund të tërhiqej duke thënë se aleati i tij nuk ia mbush mendjen për të qenë lider i koalicionit.
Pse nuk e bëri këtë? Ose nuk e ka menduar si opsion, ose sepse kishte besim absolut se Shabani nuk do të tregohej i pabesë. Ja që e bëri…