Nga Charlie English
Gjeta një kopje të 1984-ës së George Orwell-it në bibliotekën e departamentit të shkencave sociale në Universitetin e Varshavës – një thesar letrar që mbante aromën e pluhurit dhe letrës së vjetër, dhe aq i mbushur me rafte sa në disa vende mund të lëvizje vetëm anash. Prej muajsh po kërkoja këtë vëllim të veçantë, një libër që, sipas mendimit tim, kishte luajtur një rol të vogël, por të rëndësishëm në fitimin e Luftës së Ftohtë.
Ka shumë arsye pse Blloku Lindor u shemb në vitin 1989. Stagnimi ekonomik i Lindjes dhe lufta në Afganistan janë dy nga më të përmendurat. Por edhe letërsia luajti rolin e saj, falë një operacioni të gjatë të zhvilluar nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA) që kontrabandoi fshehurazi miliona libra përmes Perdes së Hekurt, në përpjekje për të minuar censurën e Partisë Komuniste.
Edhe pse është e vështirë të matet ndikimi absolut i këtij programi, historia e tij ofron mësime të vyera për sot, sidomos kur disa nga të njëjtat tituj dhe autorë që CIA dërgonte në Lindje gjatë Luftës së Ftohtë – përfshirë 1984 – sot cilësohen si të papërshtatshëm nga rrjete të grupeve konservatore në Shtetet e Bashkuara.
Botuar për herë të parë në vitin 1949, romani i Orwell-it përshkruan botën distopike të Oqeanisë, një shtet totalitar ku protagonisti, Winston Smith, punon në një ministri të madhe qeveritare të quajtur “Ministria e së Vërtetës”. Emri i saj është ironik: detyra e saj nuk është të mbrojë të vërtetën, por ta shkatërrojë atë – ta rishkruajë historinë për t’iu përshtatur nevojave të momentit të partisë dhe udhëheqësit të saj, Vëllait të Madh (Big Brother), sepse siç thotë slogani: “Kush kontrollon të kaluarën, kontrollon të ardhmen; kush kontrollon të tashmen, kontrollon të kaluarën.”
Në sistemin real sovjetik, çdo vend kishte ekuivalentin e vet të “Ministrisë së së Vërtetës”, të ndërtuar sipas modelit të Moskës. Në Poloni, vendi më i madh i Evropës Lindore jashtë Bashkimit Sovjetik, kjo strukturë censurimi dhe propagande quhej “Drejtoria Kryesore për Kontrollin e Publikimeve dhe Shfaqjeve Publike” dhe selia e saj zinte thuajse një bllok të tërë në qendër të Varshavës.
Nga arti te reklamat, nga televizioni te teatri, kjo Drejtori depërtonte në çdo aspekt të jetës polake. Kishte të punësuar në çdo stacion televiziv e radiofonik, në çdo studio filmi dhe çdo shtëpi botuese. Çdo makinë shkrimi në Poloni duhej të regjistrohej, hyrja te çdo fotokopjues ishte e kufizuar, dhe një leje e veçantë nevojitej edhe për të blerë një paketë letre. Librat që nuk përputheshin me rregullat e censurës përfundonin në makinat e shkrirjes së letrës.
English është autor i librave si “Klubi i Librave të CIA-s: Misioni Sekret për të Fituar Luftën e Ftohtë me Letërsi të Ndaluar”.
Burimi: The New York Times