Me një postim në rrjetet sociale, sekretari i përgjithshëm i Partisë “Shqipëria Bëhet”, Elton Laska, e ka quajtur të padrejtë vendimin e KAS-it për moskalimin e mandatit tek Adriatik Lapaj, si më i votuari i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun Tiranë.
Lapaj ishte më i votuari dhe të gjithë kandidatët e listës fiktive (e mbyllur) kanë dhënë dorëheqjen, me përjashtim të dajës së Endrit Shabanit, por KAS nuk i njohu këto dorëheqje.
KAS sot nuk mori një vendim administrativ, bëri politikë! Jo vetëm që rrëzoi një kërkesë legjitime, por guxoi të diktonte edhe qëndrimin tonë politik, duke e quajtur mbështetjen për listat e hapura një “gabim fatal”.
Vendosi: “Pranim i pjesshëm i kërkesës ankimore…”, ndërkohë që vendimi i marrë nuk kishte aspak lidhje me objektin e kërkesës sonë 🤷♂️
Kjo nuk është më çështje procedurash apo interpretimesh ligjore, është një ndërhyrje brutale në lirinë politike të një subjekti që kërkon ndryshimin e një sistemi të mbyllur, të kalbur dhe të kapur.
KAS sot u vetëshpall si repart paramilitar i forcave të vjetra politike.
Me këtë vendim, jo vetëm që i vunë kazmën Kodit Zgjedhor, por shkelën çdo parim të demokracisë, ligjit dhe pluralizmit politik. Ky është një sinjal i qartë: sistemi ekzistues trembet nga ndryshimi dhe përpiqet ta ndalojë me çdo mjet. Përballja vazhdon”, shkruan Laska. m.p.