Një çift nga Ohio ka sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm nga një embrion i ngrirë për më shumë se 30 vjet, duke vendosur një rekord të ri botëror.
Lindsey, 35 vjeç, dhe Tim Pierce, 34 vjeç, mirëpritën djalin e tyre, Thaddeus Daniel Pierce, të shtunën. Znj. Pierce i tha revistës MIT Technology Review se familja e saj e konsideronte këtë ngjarje “si diçka që të kujton një film fantastiko-shkencor”.
Besohen se kjo është periudha më e gjatë që një embrion ka qëndruar i ngrirë përpara se të rezultojë në një lindje të suksesshme. Rekordi i mëparshëm mbahej nga një palë binjakësh që lindën në vitin 2022 nga embrione të ngrira në vitin 1992.
Çifti Pierce ishte përpjekur të bëhej me fëmijë për shtatë vjet përpara se të vendoste të adoptonte një nga embrionet që Linda Archerd, 62 vjeç, kishte krijuar me ish-bashkëshortin e saj në vitin 1994 përmes fertilizimit in vitro.
Në atë kohë, znj. Archerd kishte krijuar katër embrione: njëri prej tyre u bë vajza e saj, sot 30 vjeçe, ndërsa tre të tjerët u ruajtën në ngrirje. Edhe pas ndarjes me bashkëshortin, ajo nuk pranoi t’i shkatërronte embrionet, por t’i dhuronte për kërkime, apo t’i jepte në familje për adoptim.
Për dekada, znj. Archerd pagoi mijëra dollarë për ruajtjen e embrioneve, deri sa gjeti një agjenci të krishterë për birësimin e tyre, Nightlight Christian Adoptions, që drejton programin Snoëflakes – një nga iniciativat më të njohura të këtij lloji në SHBA.
Programi u jep donatorëve të drejtën të zgjedhin çiftin që do të adoptojë embrionin, sipas kritereve të tyre fetare, racore apo kombëtare. Znj. Archerd kërkoi një çift të martuar, kaukazian, të krishterë dhe banorë në SHBA. Kështu ajo u përputh me familjen Pierce.
Klinika e fertilitetit Rejoice Fertility në Tennessee, ku u krye procedura, tha se qëllimi i saj është të transferojë çdo embrion që pranohet, pavarësisht moshës apo cilësisë.
Lindsey Pierce u shpreh se ajo dhe bashkëshorti nuk synonin të thyenin rekorde: “Thjesht donim të kishim një fëmijë”. m.p.