Një ndërhyrje e befasishme diplomatike nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i dha fund përplasjes më të ashpër ushtarake në më shumë se një dekadë mes Tajlandës dhe Kamboxhias. Konflikti, që nisi pas një shkëmbimi zjarri në një segment 200-kilometërsh të kufirit të tyre të përbashkët, u përshkallëzua shpejt dhe solli pasoja të rënda diplomatike e ushtarake.
Përpjekjet për ndalimin e luftës fillimisht erdhën nga Kryeministri i Malajzisë dhe më pas nga Kina, por ishte vetëm pas një telefonate të Presidentit Trump me kryeministrin e përkohshëm tajlandez, Phumtham Wechayachai, që Tajlanda pranoi të merrte pjesë në negociata me Kamboxhian. Bisedimet u mbajtën në Putrajaya të Malajzisë, nën kujdesin e kryeministrit Anwar Ibrahim, aktualisht edhe kryesues i ASEAN-it, raporton ekskluzivisht Reuters.
Burime qeveritare tajlandeze thanë për Reuters se Trump kishte kërcënuar me pezullimin e negociatave tregtare nëse nuk gjendej një zgjidhje paqësore. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në gatishmërinë e Tajlandës për të negociuar. Tajlanda kërkoi që takimi të zhvillohej në një vend neutral dhe vetëm mes kryeministrave, gjë që çoi në përzgjedhjen e Malajzisë si vend pritës.
Pavarësisht mosbesimit të ndërsjellë, armëpushimi që hyri në fuqi të hënën në mesnatë po respektohej deri të enjten, edhe pse të dyja palët nuk kishin tërhequr trupat nga kufiri. Ndërkohë, marrëdhëniet tregtare SHBA–Tajlandë dhe SHBA–Kamboxhia pritet të rifillojnë pas arritjes së marrëveshjes së armëpushimit.
Trump dhe administrata e tij janë vlerësuar nga të dy liderët si faktor vendimtar në ndaljen e konfliktit dhe ringritjen e dialogut mes fqinjëve të tensionuar. m.p.