Ka marrë një kthesë të papritur historia e Alessandro Venier, 35-vjeçarit që u gjet i copëtuar në një kazan të vjetër në bodrumin e shtëpisë. Mamaja e tij, Lorena Venier, është thyer dhe ka treguar se krimin makabër e ka kryer ajo vetë.
“Isha unë dhe e di se ajo që kam bërë është monstruoze”, është rrëfyer ajo.
Trupi i pajetë i të riut u gjet i copëtuar me sëpatë në një kazan të vjetër në bodrumin e shtëpisë ku banonte me nënën, partneren dhe vajzën e vogël, të lindur para disa muajsh. Kufomës i ishte hedhur sipër gëlqere për të fshehur erën.
Dyshohet se vrasja ka ndodhur të premten, ditën e fundit kur është parë gjallë.
Avokati i nënës ka konfirmuar për mediat italiane se ajo ka pranuar aktin.
Megjithatë nën hetim është edhe partnerja 31-vjeçare e Venier, me origjinë kolumbiane. Ajo bashkë me vjehrrën, pra nënën e viktimës, njoftuan urgjencën për vendndodhjen e kazanit dhe trupit të pajetë brenda.
Në zonën ku ndodhi krimi, Gemona del Friuli, të gjithë njerëzit njihen me njëri-tjetrin dhe janë tronditur nga rasti. Fqinjët thonë se mes tyre nuk kishte asnjë grindje familjare dhe asnjë precedent që të linte të kuptohej se mund të ndërmerrej një plan kaq djallëzor.
Lorena Venier është një infermiere e njohur në zonë. Ajo e kishte lindur djalin nga një lidhje me një egjiptian, i cili më vonë nuk kishte pranuar ta njihte fëmijën. Prej asaj kohe ajo ishte zhvendosur në Gemona ku kishte nisur gjithçka nga e para.
Fqinjët flasin mirë për të, si një grua e sjellshme dhe se kurrë nuk kanë dëgjuar zënka.
Por si është e mundur që një person i tillë të shndërrohet në “kasapen” e të birit?
Fqinjët kanë treguar se në disa raste në shtëpinë e tyre shkonin karabinierët. Shkak ishte i biri që kishte disa precedentë të vegjël penalë. Ai nuk kishte një punë të qëndrueshme, ishte i apasionuar pas fitnesit dhe ecjeve malore. Megjithatë kishte probleme me alkoolin dhe drogën.
Sipas të dhënave të para, ai kishte në plan të shkonte në Kolumbi, ku kishte qenë më parë dhe me shumë gjasë është njohur me partneren.
Një nga pistat e para hetimore është se mund të ketë ndodhur ndonjë zënkë pasi 35-vjeçari ka refuzuar të shtrojë tryezën. Një veprim në dukje i parëndësishëm, por që mund të ketë qenë pika kulmore një frustrimi të akumuluar nga dy gratë, të lodhura nga pasiviteti dhe jeta pa drejtim e të riut./kb