Prokurori Kledian Llaho, i shkarkuar sot me vendim të formës së prerë dhe i larguar përgjithmonë nga sistemi i drejtësisë, ka reaguar dhe thotë se vendimi ishte “shpërblim” për ata që janë prekur nga zbatimi i detyrës së tij në Sarandë.
“E pra, më në fund u krye. Drejtësia, në versionin e saj më të shtrembëruar, foli. Kledian Llahon nuk mund ta largonte askush për shkaqe profesionale por shkarkimi i tij ashtu duhej reklamuar për të shpëtuar dhe shpërblyer ata që u cënuan nga veprimtaria e tij në Sarandë dhe mbrojtësit e tyre në Tiranë”, thotë Llaho.
Ai thekson se kriteri i pasurisë ku u bazua shkarkimi, lidhet me një ndihmë 600 mijë lekë që i ka dhënë nëna e tij dhe 1 milion e gjysmë që i kanë dhënë prindërit e bashkëshortes, kurse kolegët që kanë pasuri miliona euro vazhdojnë karrierën.
“Kledian Llaho nuk mund të largohej për pasuri, se një apartament 50 mije euro dhe një garazhd ishte pasuria e tij në 25 vjet punë por, duhej shkarkuar për pasaktësi e paqartësi për ndihmën 600.000 lekë nga nëna dhe 1 milion e gjysëm lekë nga prindërit e bashkëshortes. E ndërsa të tjerët me pasuri miliona euro vijojnë detyrën.
E sa për figurën s’mund të flasë askush negativisht përfshirë edhe këto institucionet pseudoligjore sepse Kledian Llaho ka qenë model i prokurorit korrekt, model i një kolegu bashkëpunues, model i një njeriu me edukatë dhe kulturë dhe model i një prindi shembullor me një familje të respektuar nga e gjithë shoqëria”, thotë prokurori i Sarandës, tashmë i shkarkuar.
Sipas kryesueses të trupit gjykues të KPA, Natasha Mulaj, është çmuar i drejtë pretendimi i Komisionerit Publik dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, se prokurori Llaho nuk rezulton i besueshëm në kriterin e pasurisë.
“Më larguan nga puna jo për mungesë vlerash, por sepse vlerat e mia nuk i duruan dot. Më hoqën një vend pune, por s’mund të më heqin as dinjitetin, as zërin tim. I shpëtuan një njeriu që nuk hesht para padrejtësisë dhe unë i shpëtova një ambienti që e mbyt çdo zë të lirë.
U mbyll edhe ky kapitull, jo sepse s’munda unë, por sepse s’më deshën ata që nuk durojnë dot integritetin dhe vlerat e një njeriu që nuk shitet e nuk përkulet. Le të festojnë ‘fitoren’ e tyre të vogël. Historia ka treguar gjithmonë se frika nga të drejtët i bën të mendojnë se kanë fituar kur në fakt veç janë zbuluar”, përmbyll Kledian Llaho. M.P.