Togat e zeza kanë rrëzuar këtë të premte kërkesën e Redi Mollës për të dalë nga qelia. Ish-drejtori në Bashkinë e Tiranës dhe një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Erion Veliaj, kishte kërkuar ndryshim të masës së sigurisë, por nuk është marrë parasysh.
Vendimi u mor këtë të premte nga trupa gjykuese e përbërë nga treshja Flora Hajredinaj, Flojera Davidhi dhe Erjon Bani. Ai akuzohet për dosjen “5D” bashkë me Mariglen Qaton e Taulant Tushën.
Redi Molla e Mariglen Qato janë të akuzuar për veprat penale “Korrupison pasiv”, “Mosdeklarim të ardhurash” dhe “Pastrim parash”, kurse Taulant Tusha akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
SPAK ka hetuar dhe provuar se “Shoqëria 5D” me pronarë të fshehur të pandehurit Redi Molla dhe Mariglen Qato, kanë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme 12 tendera publikë duke shkelur rregullat e prokurimeve dhe duke siguruar përfitime monetare rreth 192.7 milionë lekë.
Tenderat që “Shoqëria 5D” ka fituar, janë organizuar kryesisht nga UKT, Bashkia Tiranë, “Tirana Parking” dhe “Klubi Sportiv Tirana” duke u favorizuar nga të pandehurit, të cilët në atë kohë ushtronin funksione publike.
Shumat monetare të mësipërme që përbëjnë produkt të veprës penale pjesërisht janë nxjerrë nga sistemi bankar duke përdorur skemën e pagesës së faturave fiktive dhe janë depozituar përsëri më pas në gjëndje “cash” në arkën e shoqërisë. Këto para të fituara në forma të jashtëligjshme janë përdorur nga pronarët e fshehur të kësaj Shoqërie për blerjen e pasurive dhe financimin e aktiviteteve të tjera tregtare.
Në këtë skemë janë të përfshirë dhe Taulant Tusha në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Planifikimit të Punëve Publike dhe të anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, si dhe të pandehurit Enton Punavija, Julian Zanaj dhe Albanon Janku në cilësinë e anëtarit të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të cilët kanë krijuar favorizime për Shoqërinë 5D dhe duke i shpallur fitues të procedurës së prokurimit në shkelje të rregullave. m.p.