Kompania franceze Corania, nje biznes familjar 90-vjeçar po përballet me sfida të mëdha.
Parfumeria, me bazë në Marsejë, është e shqetësuar pas vendosjes se tarifave 15 % nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për produktet europiane.
Këto tarifa, të cilat kanë hyrë tashmë në fuqi, përbëjnë një goditje të rëndë për Corania-n, e cila eksporton parfume në SHBA një treg që përfaqëson 25% të të ardhurave të saj vjetore, me mbi 20,000 pika shitjeje nëpër farmaci dhe dyqane amerikane.
“Tani do të na duhet të tregojmë një zgjuarsi të jashtëzakonshme për të vazhduar të ecim në tregun amerikan”, thotë CEO Laurent Cohen.
CEO i kompanisë, Laurent Cohen pranon se biznesi i tij do të preket shumë nga barra e tarifave të reja.
“Kjo është diçka e re, na është imponuar, është e papritur. Ne që punojmë në këtë treg prej shumë vitesh, kemi qenë të detyruar të rikthehemi, të rizbulojmë veten. Që prej janarit kemi qenë të kujdesshëm, sepse nuk kishim asnjë ide çfarë do të ndodhte më tej.”
E rëndësishme, sipas prodhuesit të parfumerisë franceze, është të vazhdojnë të jenë konkurrues.
“Tarifat do të jenë 15%. Është më mirë sesa 30% apo 50% që ishin përmendur në një moment, por padyshim shumë më keq se 0% që kishim më parë, vetëm pak muaj më parë. Pra, është një vuajtje e vërtetë për Corania-n.”
Cohen tha se vendimi e detyroi kompaninë të përshtatet shpejt me realitetin e ri tregtar.
“Kam ndjesinë se Europa nuk ka më mjetet për t’i qëndruar përballë qeverisë së Shteteve të Bashkuara, kësaj fuqie të madhe prej shumë vitesh. Sot, si lider të Shteteve të Bashkuara kemi një person që luan me këtë balancë fuqish dhe ka punuar që europianët të dorëzohen.”
Ndërsa markat luksoze mund të mbulojne kostot ose të zhvendosin prodhimin nga SHBA, sipërmarrjet e vogla si Corania nuk kanë të njëjtën fleksibilitet. Cohen paralajmëron se një pjesë e kostove do t’ua kalojë konsumatorëve.
“Ne prodhojmë produkte shumë të përballueshme për njerëz që nuk kanë domosdoshmërisht shumë para, por që kanë dëshirën për të përdorur parfum çdo ditë. Ne u shërbejmë atyre. Është e vërtetë që jemi veçanërisht të penalizuar në këtë industri, e cila nuk vlerësohet sa duhet.”
Megjithatë industria e bukurisë luan një rol të madh në krijimin e vendeve të punës dhe ekonomisë në Europë./kb