Biznesmeni Gjergj Luca kësaj here ka ardhur me një reflektim mbi ëndrrat e tij, dëshirën për të ndërtuar një brand ndërkombëtar në sektorin e produkteve të detit dhe shërbimeve cilësore, por nuk ka kursyer as sulmet ndaj atyre që sipas tij kanë uzurpuar turizmin shqiptar me projekte të shpejta dhe pa vizion.
Ai ka kritikuar këta persona, të cilët për “pangopësinë me lekë e prona”, nuk përkushtohen plotësisht nëpër projektet e tyre, ku në shumicën e rasteve këta njerëz “as nuk dinë të gatuajnë, as nuk dinë kë shërben, por vetëm ndërtojnë për lekë.”
Sipas tij, turizmi shqiptar po shkatërrohet nga mungesa e një strategjie kombëtare dhe nga etja për fitime të shpejta.
“Çfarë janë këta njerëz, këta gobsha që duan çdo gjë. Sa do rrojnë këta dhe si ka mundësi që asnjë lloj pune nuk u jep kënaqësi. Bëjnë pallate 30 kate dhe nuk futen asnjëherë ta shohin, bëjnë një bllok në breg të detit dhe nuk futen kurrë për të parë si kalon rruga, bëjnë një hotel dhe nuk shohin kush shërben dhe is shërben dhe si gatuhet, por vetëm bëjnë, bëjnë. Nuk ka një strategji të qartë, ky vend që është kaq mikpritës, që ka kaq shumë traditë bukuri, si ka mundësi mos të ketë një strategji kombëtare, gjithë ai bregdet. E shkatërrojnë këta njerëz me gobshllikun e tyre që duan të hanë çdo gjë”, ka thënë Luca ndër të tjera, ndërkohë që ka cekur dhe një pyetje me të cilën haset shpesh.
Ai tha se shumë e kanë pyetur se pse nuk futet në industrinë e ndërtimit dhe t’i japë formë një projekti me hotele buzë detit, por përgjigjja e Lucës ka qenë e prerë dhe filozofike.
“Dhe mua më thonë Lucë përse nuk futesh të bësh hotele në breg të detit dhe u kujtoj një shprehje të Shekspir, rrobaqepës rri te gërshërët”, thotë ai. m.p.