Ky është momenti kur Klejvis Caka, 26 vjeç largohet me vrap pasi ka plagosur me armë zjarri 28-vjeçarin, Jukled Abazi në zonën e Freksut në kryeqytet, mbrëmjen e së shtunës.
Në këto pamjet e fiksuara nga kamerat e sigurisë në zonë, autori tashmë i shpallur në kërkim në dorë ka pistoletën me të cilën qëlloi 28-vjeçarin.
Për ngjarjen në pranga përfundoi Xhonatan Qerimi, ndërsa u shpall në kërkim miku i tij, Andi Gurra që e shihni në këtë foto teksa largohet nga vendngjarja. Të dy ata akuzohen se kanë ndihmuar autorin pas ngjarjes.
28-vjeçari, Jukled Abazi po lëvizte me automjetin e tij tip Mercedes Benz kur u qëllua me armë zjarri nga Klejvis Caka. Pas plagosjes i riu braktisi makinën e tij dhe u dërgua në Spitalin e traumës nga i kunati i tij.
Nga hetimet e deritanishme, policia dhe prokuroria e Tiranës ka dyshime se ngjarja ka ardhur pas një konflikti për motive të dobëta mes autorit dhe të plagosurit. Ky i fundit vijon të jetë në kujdesin e bluzave të bardha të spitalit të Traumës, ku mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. m.p.