Një seri mesazhesh të fshehta në Telegram e kanë rikthyer në qendër të vëmendjes Louisa Rozova-n, 22-vjeçaren që përflitet të jetë vajza sekrete e Vladimir Putinit.
Ajo është shfaqur për herë të parë në publik duke kritikuar në mënyrë indirekte presidentin rus dhe duke dënuar hapur luftën në Ukrainë.
“Burri që mori miliona jetë dhe shkatërroi timen.” Edhe pse nuk e përmend drejtpërdrejt Putinin, mesazhi i saj është interpretuar gjerësisht si një akuzë personale ndaj tij, për shkak të indikacioneve të shumta ndër vite që e lidhin me presidentin rus. Sipas raportimeve, ajo është fryt i marrëdhënies së Putinit me ish-muzikanten Svetlana Krivonogik.
“Është çliruese të mund t’ia tregoj fytyrën botës”
Në një tjetër postim, e reja që jeton në Paris dhe punon në fushën e artit, ndau një selfie me mbishkrimin: “Është çliruese të jem në gjendje t’ia tregoj përsëri fytyrën time botës. Më kujton kush jam dhe kush ma shkatërroi jetën.”
Këto deklarata janë raportuar nga gazeta gjermane Bild, e cila ka qasje në kanalin e saj të Telegram-it me emrin “Arti i Luizës.”