Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me plotësimin e formularit për të gjithë efektivët të cilët dëshirojnë që të studiojnë në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit dhe për të gjithë ata persona të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme edhe përpara vitit 2024.
Në vijim të procedurave për konkurrimin në 150 vende të lira në programin Bachelor është miratuar data 6 gusht 2025, nga ora 08:00 deri në 16:00, si periudhë për plotësimin e formularit A1 (për maturantët) dhe formularit A1Z (për kandidatët e tjerë).
Plotësimi do të bëhet online në shërbimin “Matura Shtetërore” në portalin e-Albania, dhe më pas do të konfirmohet në shkollën përkatëse.
“Sa më sipër sqarojmë se formulari A1 dhe A1Z do të jetë aktiv për t’u plotësuar më datë 06 gusht 2025, nga ora 08:00 deri në orën 16:00, në shërbimin elektronik “Matura Shtetërore”, nëpërmjet portalit e-Albania. Formulari A1 duhet të plotësohet nga maturantët e këtij viti shkollor, ndërsa formulari A1Z plotësohet nga të gjithë kandidatët që duan të aplikojnë për ndjekjen e studimeve të arsimit të lartë.
Formularët A1/A1Z plotësohen fillimisht online nëpërmjet portalit e-Albania dhe më pas duhet të konfirmohen në shkollën përkatëse nga vetë maturanti ose kandidati”, thuhet në njoftimin e Policisë. m.p.