Prokuroria e Posaçme mbyll hetimet dhe dërgon për gjykim 5 persona të akuzuar për blerje votash në zgjedhjet lokale të vitit 2023 në Rrogozhinë, mes tyre edhe kandidati për kryebashkiak i Partisë Demokratike në këtë qytet, Shkëlqim Hoxha.
Rasti i hetimit të krimit elektoral është konfirmuar sot nga vetë SPAK, ku jepen edhe detaje të hetimit dhe emrat e 5 të pandehurve. Të akuzuarit janë Limon Shala, Fatmir Thaçi, Florant Saraçi, Engjëll Cara dhe Shkëlqim Hoxha.
Katër prej tyre akuzohen se kanë ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm në 64 raste, për të votuar Hoxhën si kryebashkiak.
“Shtetasit Engjell Cara, Limon Shala, Fatmir Thaçi dhe Florant Saraçi janë vënë nën akuzë për kryerjen e veprës penale,“Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, parashikuar nga nenet 328, 25 dhe 50, germa “h” të Kodit Penal. Shtetasi Shkëlqim Hoxha akuzohet për veprën penale “moskallëzim i krimit”, parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK-ut ditën e sotme (4 gusht).
Hetimet treguan se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar dhe ofruar bileta udhëtimi të parapaguara për persona të ndryshëm, të dokumentuara në 64 raste, me qëllim që të votonin në favor të kandidatit Shkëlqim Hoxha, në zgjedhjet vendore të vitit 2023 në Bashkinë Rrogozhinë.
Kandidati demokrat, edhe pse ishte në dijeni, nuk e ka kallëzuar rastin, duke shkelur ligjin. m.p.