Ministria e Jashtme ka reaguar lidhur me deklaratat e bëra së fundmi nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili tha se mazhoranca përmes ministrit të Jashtëm, Igli Hasanit kërcënoi vëzhguesit ndërkombëtarë me qëllim për të ndryshuar raportin lidhur me zgjedhjet e 11 Majit.
Përmes një postimi zyrtar, Ministria e Jashtme ka përgënjeshtruar Berishën duke theksuar se përmes kësaj letre Hasani nuk ka ndërhyrë aspak në punën e Misionit të Vëzhguesit të ODIHR dhe aq më pak të ketë bërë presion ndaj tyre.
“Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova”, shkruhet në reagimin e Ministrisë. m.p.