“Zgjedhjet ishin farsë”, Bardhi: Vëzhguesit në Fier kanë votuar në emër të qytetarëve

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar sot një video denoncuese nga një qendër votimi në Fier në zgjedhjet e 11 majit, ku sipas tij tregohet sesi vëzhgues të Partisë Socialiste votojnë në emër të qytetarëve, duke shkelur fshehtësinë e votës.

Pamjet janë regjistruar në qendrën e votimit nr. 3153/1, në Njësinë Administrative Dërmenas, Bashkia Fier. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Bardhi e cilëson këtë si një “farsë elektorale”, ku, sipas tij procesi i votimit është nën kontrollin e patronazhistëve dhe i manipuluar në thelb.

“Votim i kontrolluar = farsë elektorale. Shkelja e fshehtësisë së votimit është krim sipas nenit 327 të Kodit Penal dhe dënohet me deri në 3 vite burgim,” shkruan Bardhi, duke akuzuar qeverinë dhe strukturat e saj për mbështetje të shkeljeve.

Sipas tij, në vetëm 4 orë regjistrimi, rezulton se shumica e qytetarëve nuk kanë votuar vetë, por në emër të tyre kanë votuar vëzhgues të PS-së. Bardhi pretendon gjithashtu se kamerat në qendër janë fikur më pas nga patronazhistët, për të shmangur dokumentimin e mëtejshëm të shkeljeve.

 

 

Ai i drejton gishtin zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar se ka dhënë “garanci” për mosndëshkimin e këtyre veprimeve dhe se Task Forca e ngritur për garantimin e zgjedhjeve ishte thjesht një “alibi”, jo një mekanizëm real për të ndalur krimet zgjedhore.

Postimi i plotë:

VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE

Shkelja e fshehtësisë së votimit është krim sipas nenit 327 të Kodit Penal që dënohet me 3 vjet burgim. Por në zgjedhjet e 11 Majit në qarkun Fier ajo ishte forma kriminale që patronazhistët të kontrollonin çdo votë që hidhet në kuti. Belinda Balluku kishte dhënë garanci që krimi i tyre nuk do të ndëshkohej, sepse Task Forca ishte alibi, jo mekanizëm për ndëshkimin e krimeve zgjedhore!

Lexo edhe :  "Nëse Rama vazhdon punën, Shqipëria anëtarësohet në 2029"

Në vetëm 4 orë regjistrim, sepse më pas patronazhistët i fikin kamerat e QV nr. 3153/1, rezulton se në shumicë dërrmuese nuk kanë votuar qytetarët, në mënyrë të lirë dhe të fshehtë, por vëzhguesit e PS në emër të tyre.

QV 3153/1, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier./e.t