Spekulimet për rikthimin e Zinedine Zidane në stolin e trajnerit po intensifikohen gjithnjë e më shumë. Edhe pse emri i tij nuk u përmend shpesh gjatë merkatos së verës, duket se legjenda franceze ka një plan të qartë në mendje: të marrë drejtimin e kombëtares së Francës, raporton Defensa Central.
Vetë Zidane e ka konfirmuar në një deklaratë të fundit se drejtimi i “Trikolorëve” është objektivi i tij madhor: “Ka një trajner aktualisht në krye, një ekip që duhet respektuar, dhe kjo është ajo që bëjmë. Gjithmonë kam respektuar futbollin dhe njerëzit, prandaj ky nuk është momenti i duhur. Por, kur të vijë koha, do të jetë një kënaqësi e madhe për mua nëse më jepet mundësia. E kam lënë karrierën në pritje, por ndjehem plotësisht si trajner,” u shpreh Zidane.
Nga ana tjetër, trajneri aktual i Francës, Didier Deschamps, i cili pritet të largohet pas Kupës së Botës 2026, nuk i mbylli dyert mundësisë që Zidane ta pasojë.
“Kemi kaluar shumë vite bashkë dhe vazhdojmë ta respektojmë njëri-tjetrin. Nuk jemi miq të ngushtë, por gjithmonë do të ketë respekt mes nesh. Ai është një kandidat shumë i mirë, natyrshëm i tillë dhe, do të shtoja, i pritshëm”, kishte thënë Deschamps. mp.