Pas denoncimeve online mbi cilësinë e ujit të pijshëm “Lajthiza”, vjen reagimi nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë.
Përmes një deklarate për shtyp, Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë i ka cilësuar këto denoncime sulme të qëllimshme dhe inskenime, vetëm për të dëmtuar imazhin e ujit “Lajthiza”.
DEKLARATA
Prej disa ditësh, në disa portale dhe media online, janë publikuar “denoncime qytetarësh” ndaj produktit “Uji Lajthiza”.
“Denoncimi” i referohet një qytetari, të pa identifikuar, në një resort në Jug të Shqipërisë, gjithashtu të pa identifikuar. Sipas këtij “denoncimi”, uji kishte përmbajtje të lartë kripe. Këtë konstatim e përforconte edhe një kamarier, gjithashtu i pa identifikuar. E gjitha, ishte e qartë që ishte një inskenim për të dëmtuar imazhin e kompanisë, që hedh në treg prej 25 vjetësh një prej produkteve më cilësore të ujit.
Bashkimi Prodhuesve Shqiptarë është shumë i vëmendshm ndaj respektimit të standardeve të sigurisë ushqimore. Ai do të mbaj qëndrim në rastet kur organet kompetente konstatojnë shkelje dhe cënim të standardit të sigurisë ushqimore. Por, me po të njëjtën përgjegjshmëri dhe përgjegjësi, BPSH kërkon të mbahet qëndrim nga institucionet kur prodhues të ndryshëm, bien pre e shantazhit apo sulmeve denigruese, për qëllime të caktuara.
Nuk është hera e parë që prodhuesë shqiptarë, kryesisht në fushën e industrisë ushqimore, bien pre e sulmeve publike pa asnjë bazë të vërtetueshme.
Këto sulme të qëllimshme cënojnë rëndë marrëdhënien dhe besueshmërinë mes prodhuesit dhe konsumatorit.
BPSH nxit çdo qytetar që, nëse vëren probleme me produktet ushqimore, t’i drejtohet institucioneve përkatëse. Gjithashtu BPSH nxit institucionet që të mbajnë qëndrime në mbrojtje të konsumatorëve, por njekohesisht i nxit të reagojnë edhe në rastet kur fabrikohen fakte për të sulmuar marka të ndryshme prodhuesish. Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë”. m.p.