Një skandal i përmasave të mëdha po trondit politikën greke, pasi dyshohet se qindra miliona euro nga fondet e Bashkimit Evropian për bujqësinë janë përfituar në mënyrë të paligjshme përmes deklarimeve të rreme dhe aktiviteteve fiktive.
Sipas një hetimi të nisur nga Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO), zyrtarë të lartë të Ministrisë së Bujqësisë dhe agjencisë përgjegjëse për shpërndarjen e fondeve të BE-së, OPEKEPE, kanë qenë pjesë e një skeme të mirëorganizuar që shmangte kontrollet dhe lejonte shpërndarjen e ndihmës financiare për përfitues të paligjshëm.
Por hetimet rrezikojnë të bllokohen pas një vendimi të Kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis, i cili në një deklaratë tha:
“Greqia në vitin 2025 nuk ka nevojë për skandale, por për të vërtetën.”
Dosja e EPPO-së, e gjatë mbi 3 mijë faqe, përfshin përgjime dhe transkripte ku përmenden të paktën pesë ish-ministra apo ministra aktualë dhe dhjetë deputetë të partisë në pushtet, Demokracia e Re.
Skandali u bë publik nga portali evropian “Politico”, i cili zbuloi dokumentet e hetimit. Sipas raportimeve, Bashkimi Evropian i ka kërkuar Greqisë të kthejë rreth 400 milionë euro – mbi 20% e fondeve të planifikuara për vitin e ardhshëm.
Mes personave nën hetim janë ish-ministrat Lefteris Avgenakis dhe Makis Voridis. Sipas dokumenteve të EPPO-së, Voridis akuzohet se ka detyruar dorëheqjen e ish-presidentit të OPEKEPE, Grigoris Varras, pasi ky i fundit raportoi kullota të rreme në vitin 2020. Ndërkohë, Avgenakis dyshohet se ka shkarkuar një tjetër president të agjencisë, Evangelos Simandrakos, i cili kishte bllokuar mbi 9 mijë pagesa të dyshimta.
Brukseli ka paralajmëruar se do të ndjekë çështjen me seriozitet të plotë, ndërsa në Athinë mbetet e paqartë nëse hetimet do të vazhdojnë apo do të bllokohen përfundimisht nga qeveria Mitsotakis. m.p.