Fusha e gazit natyror Leviathan ka nënshkruar marrëveshjen më të madhe të eksportit në historinë e Izraelit, me vlerë deri në 35 miliardë dollarë për të furnizuar me gaz Egjiptin.
Kështu zbuloi të enjten NewMed, një nga partnerët në këtë fushë, raporton agjencia Reuters.
Leviathan, pranë bregdetit mesdhetar të Izraelit me rezerva prej rreth 600 miliardë metra kub, do të shesë rreth 130 miliardë metra kub gaz në Egjipt deri në vitin 2040, ose derisa të përmbushen të gjitha sasitë e kontratës.
Rezervuari Leviathan filloi të furnizonte Egjiptin menjëherë pas fillimit të prodhimit në vitin 2020.
Ai nënshkroi një marrëveshje fillestare në vitin 2019 për 60 miliardë metra kub – ose 4.5 miliardë metra kub në vit – që pritet të furnizohet plotësisht deri në fillim të viteve 2030.
Leviathan, fusha më e madhe e gazit natyror në Mesdhe, ka furnizuar tashmë 23.5 miliardë metra kub gaz në Egjipt që nga viti 2020, sipas NewMed.
Egjipti, vendi arab më i populluar, ka përjetuar ndërprerje të vazhdueshme të energjisë gjatë dy viteve të fundit, pasi financat qeveritare janë nën presion dhe furnizimi me gaz natyror nuk i ka përmbushur kërkesat./e.t