Ngjarja në Llogara, anëtari i Federatës së Gjuetisë: Policia të veprojë!

Ngjarja e rëndë ku 22 kuaj u qëlluan me armë gjahu në zonën e Llogarasë, afër “Gropave të Pirit”, ka shkaktuar reagime të shumta nga qytetarë dhe organizata për mbrojtjen e kafshëve.

Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i Shoqatë së Gjuetarëve “Tirona” dhe anëtar i kryesisë së Federatës Kombëtare të Gjuetisë, Armand Burri.

Ky i fundit duke dënuar aktin e rëndë thotë se shoqata e gjuetarëve ka kritere të qarta për gjuetinë, ndërsa thekson se kush është pjesë e shoqatës, është i informuar për ligjet dhe mënyrën e saktë të ushtrimit të gjuetisë.

Burri thekson se pas këtij rasti të rëndë, Policia e Shtetit dhe organet kompetente të veprojnë me vendosmëri, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

“Së pari, dua të theksoj se rasti i ndodhur së fundmi në Llogara, ku janë qëlluar 20 kuaj, është një akt i rëndë dhe i patolerueshëm. Shoqata jonë është e indinjuar dhe e distancohet totalisht nga ky akt i paligjshëm dhe çnjerëzor.

Për të qenë pjesë e gjuetisë në mënyrë të ligjshme dhe të kontrolluar, çdo individ duhet të jetë i anëtarësuar në një shoqatë gjuetie dhe të ketë kaluar testin e gjuetarit. Çdo bashki ka shoqata lokale që janë pjesë e Federatës Kombëtare të Gjuetisë, dhe këto shoqata zbatojnë rregulla të qarta dhe kritere të përcaktuara se ku dhe çfarë mund të gjuhet, dhe vetëm gjatë periudhës së lejuar nga 15 gushti deri më 1 mars.

Ne vijmë pas 12 viteve moratoriumi, dhe aktualisht jemi duke u angazhuar në mënyrë intensive me testimin dhe informimin e gjuetarëve, si dhe anëtarësimin e tyre të rregullt. Kush është pjesë e shoqatës, është i informuar për ligjet dhe mënyrën e saktë të ushtrimit të gjuetisë. m.p.