Fermerët shqiptarë që zotërojnë ferma bujqësore apo blegtorale kanë tani mundësinë të përfitojnë nga një grant prej 50% për të modernizuar proceset e punës. Kjo mbështetje vjen në kuadër të Skemës Kombëtare të Investimeve 2025, një nismë e re e qeverisë e cila synon të forcojë konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale të shtunën, bëri të ditur se ky program synon të ulë kostot dhe kohën e prodhimit, si dhe të rrisë cilësinë dhe efikasitetin e produkteve.
“Fermerët që zotërojnë ferma bujqësore apo blegtorale mund të përfitojnë 50% grant për mekanizimin dhe modernizimin e proceseve të punës, duke siguruar pajisje dhe teknologji bashkëkohore që ulin kohën dhe kostot e prodhimit, rrisin efikasitetin, përmirësojnë cilësinë e produkteve dhe forcojnë konkurrueshmërinë në treg.”, deklaron ministrja Denaj, duke e shoqëruar këtë edhe me një video informuese në rrjetet sociale.
Mbështetja financiare arrin deri në 50% të vlerës totale të faturave tatimore, me një maksimum prej 5 milionë lekë për subjekt. Për fermerët që kërkojnë financim shtesë, ministrja Denaj sqaron se granti mund të kombinohet me Kredi të Butë, me një interes prej vetëm 2% dhe me garanci sovrane që mbulon 70% të kolateralit.
Afati i fundit për të aplikuar për këtë grant është 30 shtator 2025. Skema përfshin gjithsej 9 masa mbështetëse për investime në sektorin bujqësor, duke hapur rrugën drejt një bujqësie më produktive dhe moderne në Shqipëri.

Çfarë është Skema Kombëtare e Investimeve 2025, me vlerë 20 milionë euro për bujqësinë?
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, me 30 korrik 2025, njoftoi hapjen e aplikimeve për Skemën Kombëtare të Investimeve 2025, një program me një fond rekord prej 20 milionë eurosh që synon modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin bujqësor.
Kjo skemë është një hap i rëndësishëm për të përmbushur standardet e BE-së dhe për të realizuar objektivin ambicioz të qeverisë për të arritur 1 miliard euro eksporte bujqësore deri në vitin 2030.
Paketa financiare e Skemës Kombëtare të Investimeve 2025 është e integruar, duke kombinuar një grant prej 50% me Kredinë e Butë me normë interesi prej vetëm 2% dhe 70% kolateral të mbuluar nga shteti. Kjo i mundëson fermerëve dhe subjekteve bujqësore të zhvillojnë plane investimi të personalizuara dhe të qëndrueshme.
9 masa mbështetëse për modernizimin e fermave
Skema ofron 9 masa mbështetëse për një gamë të gjerë investimesh, nga infrastruktura e deri tek pajisjet moderne. Ndër to përfshihen:
Aplikimet janë të hapura nga 30 korriku deri më 30 shtator. Fermerët dhe shoqëritë me status fizik ose juridik mund të aplikojnë nëpërmjet Agropikave ose Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor dhe të marrin asistencë nga ekipi i Ministrisë për çdo pyetje apo nevojë./rtsh.al