Ato sjellin në Përmet traditën më të mirë të gatimit dhe produkte artizanale të zonës në atë që njihet si Festivali i Gjysheve.
Gjyshe përmetare, por edhe gjyshe nga Vlora e nga Kosova kanë qenë këtë vit pjesë e festivalit, i vetmi kushtuar gjysheve në Evropë.
“Jam Aida. Jam gjyshe nga Kosova, përkatësisht nga qyteti i Mitrovicës. Këtu jam për herë të parë në këtë panair. Marr pjesë me punimet e mia artizanale.”
Janë disa produkte tipike, që ia ofrojmë si vizitorëve vendas dhe të huaj. Janë të tëra artizanale, jo për treg të gjerë, si uthulla e mjaltit, likeri i thanës, liker me arrë, propolis, produktet e bletës. Nuk është hera e parë që marr pjesë në këtë panair.”
“Ne jemi këtu, përpunojmë qumështin tonë. Prodhimet tona janë kaçkavall, djathë deleje, salcë, gjalp dhe gjizë.”
“Ecim sipas traditës. Byrek me lakra, byrek me mish, që i themi mesnik, byrek me spinaq, byrek me hithra, byrek me fasule, byrek me lëpjeta të egra të malit, qumështor që e kemi traditë.”
“Kemi gatuar reshedi dhe byrek me lakra.”
Organizatorët e Festës së Gjysheve, shprehen se qëllimi i këtyre tre ditëve, veç të tjerave, është rigjallërimi i zonave të tjera të Shqipërisë, përveç Tiranës, që është metropoli i vendit. Aktiviteti ka mbledhur mijëra turistë vendas dhe të huaj, ndërkohë që “Nona” synon të shndërrohet në festivalin e gjysheve evropiane, gjë për të cilën nevojiten fonde. m.p.