Gjermani, nëse të Gjelbrit lëvizin drejt qendrës, mund të bëhen sërish të fortë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Katër vite më parë, partia ishte më e popullarizuara në vend – por ndarjet e vjetra e kanë përçarë atë. Tani është momenti i duhur për një fillim të ri.

Katja Hoyer

Partia e Gjelbër gjermane, Die Grünen, dikur ishte për zili nga lëvizjet simotra në gjithë Evropën. Në pranverën e vitit 2021 ishte partia më e popullarizuar në vend, me një përqindje të parashikuar të votës afër 30%. Madje shtypi ndërkombëtar filloi të pyeste nëse kancelari i ardhshëm do të ishte nga të Gjelbrit. Katër vite më vonë, partia është në krizë: e përçarë, jashtë pushtetit dhe stagnon me pak mbi 10% në sondazhe, pasi humbi 33 ulëse në zgjedhjet federale të shkurtit. Partia tani po kërkon rrugën për t’u kthyer në rrymën kryesore – dhe ky është momenti i fundit për ta bërë një gjë të tillë, duke pasur parasysh dobësimin e shpejtë të qendrës politike gjermane.

Një nga problemet kryesore të të Gjelbërve është personeli. Në kulmin e saj më 2021, partia kishte dy figura udhëheqëse: Annalena Baerbock dhe Robert Habeck, të cilët shiheshin gjerësisht si pragmatistë – një parakusht për qeverisje efektive në sistemin gjerman të kompromisit. Pas zgjedhjeve të vitit 2021, Baerbock u bë ministre e jashtme në koalicionin “semafor” të Olaf Scholz me SPD-në dhe liberalët, ndërsa Habeck zëvendëskancelar dhe ministër i ekonomisë dhe klimës.

Pas shpërbërjes së atij koalicioni, të Gjelbrit humbën një milion vota dhe ranë në vendin e katërt në zgjedhjet e këtij viti. Figura kyçe po largohen masivisht. Habeck do të transferohet në Danimarkë; Baerbock tani është presidente e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Ndërkohë, e gjithë kryesia e krahut rinor të partisë dha dorëheqjen nga partia. Në teori, kjo duhej të ishte një mundësi për një rifillim.

Partia zgjodhi një dyshe të re drejtuese – Franziska Brantner, 45 vjeçe, dhe Felix Banaszak, 35 vjeç – si dhe drejtues të rinj të Rinisë së Gjelbër: aktivistin për klimën Jakob Blasel dhe të vetëquajturën “radikale e majtë” Jette Nietzard. Por, në vend që të sillte një rifillim, kjo përbërje ka nxjerrë në pah ndarjet e thella të brendshme. Që nga lindja e saj nga lëvizjet antinukleare, mjedisore dhe paqësore të viteve 1980, tek të Gjelbrit ka ekzistuar një përçarje mes pragmatistëve (Realos) dhe fundamentalistëve (Fundis).

Këto ndarje ideologjike të vjetra janë rikthyer me forcë dhe ndjekin ndarje breznore. Mund të dëgjoje thuajse një psherëtimë kolektive lehtësimi në krye të partisë kur Nietzard njoftoi se nuk do të kandidojë sërish për drejtimin e Rinisë së Gjelbër këtë vjeshtë. Ajo ka larguar në mënyrë të përsëritur votuesit centristë që të Gjelbrit përpiqen t’i fitojnë, duke u shfaqur me rroba me mbishkrime si “ACAB” (anti-policia) dhe slogane antikapitaliste si “Hani të pasurit”. Muajin e kaluar ajo pyeti nëse rezistenca ndaj një koalicioni të mundshëm me të djathtën ekstreme AfD duhet të jetë “intelektuale apo ndoshta me armë”.

Këto pozicione mund të ndahen nga të tjerë në të majtën gjermane, por ajo hapësirë tashmë është e zënë nga Die Linke, që kohët e fundit ka fituar mbështetje për qëndrimet e saj më të ashpra kundër së djathtës. Njerëzit që janë kaq larg në të majtë, si Nietzard, ka më shumë gjasë të votojnë për Die Linke sesa për të Gjelbrit. Të dyja partitë tani janë afër në sondazhe, me 10–12% secila.

Lexo edhe :  Irani peshon përgjigjen pas rivendosjes së sanksioneve

Udhëheqja e re e të Gjelbërve është e vendosur të zgjidhë këtë personalitet të dyfishtë dhe të gjejë rrugën drejt qendrës – dhe drejt pushtetit. Banaszak dëshiron të dallojë partinë e tij qartazi nga e majta radikale. Ai tha për shtypin gjerman se “nuk ishte sekret” që ai dhe Nietzard “kishin zakonisht opinione të ndryshme”. Me largimin e saj, udhëheqësia e re shpreson të rikthejë dominimin e Realos-ve. Në këtë drejtim, ata po përdorin pushimet verore parlamentare për të vizituar zona të Gjermanisë ku “atmosfera është e ndezur”, siç e përshkruan fushata e tyre – veçanërisht bastionet e klasës punëtore në rajonin industrial të Ruhr-it dhe Gjermaninë Lindore.

Fillimisht, të dy u tallën për këtë nismë, sidomos kur Banaszak u fotografua duke u ulur në dyshemenë e trenit, edhe pse politikanët gjermanë mund të përdorin lirshëm klasën e parë. Por nëse kjo vizitë ndihmon në afrim me realitetet politike të Gjermanisë, mund të jetë më shumë sesa një truk publicitar. Gjatë një vizite në Thuringia, një bastion i AfD-së në ish-Gjermaninë Lindore, Banaszak dëgjoi nga djali adoleshent i një kryetari bashkie nga të Gjelbrit se “njerëzit këtu i shohin të Gjelbrit si aktivistë radikalë për klimën”, por nëse shohin që politikanët e Gjelbër sjellin përmirësime – si ringjallja e një fshati, riparimi i rrugëve – atëherë reputacioni i tyre mund të rikthehet.

Në qytetin industrial të Gjermanisë Perëndimore, Duisburg, Brantner u pyet nëse të Gjelbrit humbën votuesit e rinj meshkuj sepse nuk ofruan një vend pozitiv për ta. Sa herë që përmendej koncepti i maskulinitetit, sipas saj, ai i paraprihej nga fjala “toksi(k)”. Kjo vetëkritikë është e re dhe e rëndësishme. Strategjia e AfD-së për të ardhur në pushtet është polarizimi i politikës, në stilin e Trumpit. Të Gjelbrit do t’i ndihmonin në këtë drejtim nëse lëvizin më tej në të majtë, duke braktisur terrenin qendror që AfD përpiqet ta shkatërrojë.

Ka hapësirë për një parti të Gjelbër në qendër të skenës politike gjermane. Ata mund të bëhen forca kryesore e qendrës së majtë nëse luajnë mirë kartat e tyre, duke forcuar kështu politikën e moderuar në tërësi. Një pjesë e këtij potenciali qëndron në aftësinë për të bashkëpunuar me konservatorët. Shteti jugor i Baden-Württemberg është udhëhequr nga i Gjelbri Winfried Kretschmann që nga viti 2011, dhe ai është i popullarizuar edhe tek votuesit konservatorë, duke udhëhequr një koalicion me CDU-në e qendrës së djathtë – një model që mund të funksionojë edhe në nivel federal.

Dëshironi apo jo, në shoqërinë gjermane ekziston një shumicë konservatore që kërkon përfaqësim politik. CDU-ja është zotuar të mos bashkëpunojë kurrë me AfD-në, por kjo e lidh atë me një SPD gjithnjë e më jopopullore. Shtimi i një opsioni CDU–Të Gjelbrit në gamën politike do të forconte qendrën – dhe me të, një demokraci që është nën sulm. Pa përmendur faktin që do të rikthente çështjet mjedisore në një kulturë politike që duket se i ka lënë mënjanë.

Nëse drejtuesit e rinj të të Gjelbërve do të arrijnë ta marrin me vete një parti kaq të përçarë në rrugën e progresizmit pragmatik, mbetet për t’u parë. Por duhet të përpiqen – jo vetëm për të mirën e partisë së tyre, por për të mirën e demokracisë gjermane.

Katja Hoyer është historiane dhe gazetare gjermano-britanike. Libri i saj më i fundit është Beyond the Wall: East Germany, 1949–1990.

“The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi

Të fundit

Problem me financat, Muzeu Van Gogh paralajmëron mbylljen!

Muzeu Van Gogh në Amsterdam, shtëpia e koleksionit më të madh në botë të veprave të Vincet van Gogh,...

Durrës, dhunohet turisti, policia procedon dy 17-vjeçarë

Policia e Durrësit përmes një njoftimi për mediat ka sqaruar një ngjarje të ndodhur më datë 14 gusht në qytetin bregdetar, ku është dhunuar...

“PD duhet të ketë kujdes kur thërret FBI-në”

“21 janari 2011 ka qenë hera e fundit e FBI-së në Shqipëri. Partia Demokratike në atë kohë ra në grackë duke e kërkuar vetë...

‘Letërsia mund të jetë një formë rezistence’, Lea Ypi flet me Elif Shafak

Kujtimet e Lea Ypi në librin e saj “Të lirë” evokojnë fëmijërinë e saj në Shqipëri, para dhe pas rënies së komunizmit. Libri Indignity,...

FOTOLAJM: Gjarpri më helmues i Evropës bëhet “pasagjer” në makinë

Gjarpërinjtë janë mjeshtër të fshehjes, por ndonjëherë përfundojnë në vendin e gabuar. Zakonisht, zjarrfikësit ndërhyjnë. Kjo është ajo që ndodhi të hënën në Buje...

Lajme të tjera

Web TV