MEKI: News24 dhe Panorama kanë një qira të papaguar ndaj shtetit prej 2 mln €

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ka bërë një tjetër reagim që hedh poshtë pretendimet e medias Panorama (kompania Shoqëria Panaroma Group sh.a.) dhe News24 (kompania Fokus Media News) se kishte një kontratë qiraje deri në vitin 2033 për godinën e cila u sekuestrua nga shteti për t’i kaluar kompanisë ushtarake “KAYO sh.a., pas një vendimi gjyqësor të formës së prerë.

Në reagim thuhet se pasuria me nr. kadastral 10/304 (në administrim të Ndërmarrjes Industriale Nr.1) është çështje e veçantë, e ndryshme dhe pa asnjë lidhje juridike apo faktike me godinën e kaluar shoqërisë Kayo sh.a., me VKM nr. 158, datë 12.3.2025.

Por pavarësisht kësaj, MEKI tregon se Shoqëria Panaroma Group sh.a., ka një detyrim prej 2 milionë eurosh të akumuluar që nga viti 2017, për shkak të mospagimit të qirasë për godinën, të cilën ajo thotë se i takon duke pretenduar një kontratë te vlefshme deri në vitin 2033.

“Për pasurinë 10/304, me sipërfaqe 13,922 m2, subjekti qiramarrës ka mosshlyerje të detyrimeve prej muajit shkurt 2017. Sipas akteve financiare të dosjes administrative, detyrimi i pashlyer i faturuar deri në shtator 2021 arrin në shumën 88,305,280 lekë (qira) dhe 2,562,310 lekë (kamatëvonesa). Meqenëse pagesat nuk kanë vijuar pas kësaj date, detyrimet vijojnë të rriten dhe aktualisht përllogariten mbi 2 milionë euro; shuma përfundimtare do të formalizohet pas rifreskimit të llogaritjeve”,- njofton MEKI.

Për më tepër, ministria thotë se në vitin 2021, kompanisë Shoqërisë Panaroma Group sh.a., i është njoftuar zyrtarisht ndërprerja e kontratës për shkak të këtyre detyrimeve të papaguara dhe në vend që të përmbushte detyrimet dhe të dorëzonte pasurinë, subjekti ka ndërmarrë masa sigurimi dhe padi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimeve të kontratës, duke vijuar të përdorë prej vitesh pa kundërshpërblim një pasuri publike.

Lexo edhe :  Kush do jenë ministrat e rinj? Gazetarja zbërthen planet

“Kjo sjellje është e padrejtë dhe e paligjshme, duke cënuar parimin e trajtimit të barabartë dhe duke ngarkuar barrë të padrejtë mbi taksapaguesit, poashtu edhe mbi punonjësit që përgjigjen para ligjit për ndjekjen, monitorimin dhe respektimin e kontratave”,- thuhet në reagim. m.p.