Përpjekja për të ndihmuar vëllain duke mbuluar një ngjarje të datës 5 korrik, ku ky i fundit akuzohej për kanosje të një personi, i ka kushtuar shtrenjtë një efektivi policie, me detyrë pranë Komisariatit Nr.4 në kryeqytet.
Pas hetimeve të thelluara nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore është provuar se inspektori ka kryer veprime për të penguar zbardhjen e ngjarjes, ku i përfshirë ka qenë vëllai i tij.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan – Korçë) ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e cila ka caktuar masat e sigurimit personal me karakter ndalues “Ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” ndaj një punonjësi policie dhe një shtetasi të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës’”, njofton AMP.
Sipas njoftimit përveç inspektorit me iniciale E. P., me detyrë trupë shërbimi dhe Oficer i patrullës së përgjithshme në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë, të njëjtat masa sigurie janë ekzekutuar edhe për shtetasin me iniciale E. D., banues në Tiranë.
“Në vijimësi të hetimeve të thelluara në kuadër të operacionit “Last rent”, ka dyshime se punonjësi i policisë në bashkëpunim me shtetasin e sipërpërmendur, kanë tentuar të fshehin prova materiale lidhur me ndalimin me datë 05.07.2025 të punonjësit të policisë E. P., (vëllai i punonjësit E. P.) i dyshuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, sqaron më tej AMP. /e.t