Kosova, Shqipëria dhe Kroacia po punojnë për ta konkretizuar në praktikë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes për të cilin u dakorduan në letër para rreth pesë muajsh, kur ministrat e Mbrojtjes nënshkruan një deklaratë të përbashkët më 18 mars në Tiranë.
Ministritë e Mbrojtjes nga Kosova dhe Shqipëria konfirmuan për Radion Evropa e Lirë se grupe të ekspertëve po punojnë për planin e zbatimit të deklaratës.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, thotë se më 18 korrik në Tiranë është mbajtur takimi i grupit zbatues “për ta zbërthyer planin në nivel operacional”.
Nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, e cila ishte mikpritëse e ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, thanë se në shtator të këtij viti do t’u paraqitet për miratim ministrive të Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë udhëzuesi i cili është drejt finalizimit.
Në deklaratën që u nënshkrua nga ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ai i Shqipërisë, Pirro Vengu, dhe i Kroacisë, Ivan Anushiq, u vendosën katër pika bashkëpunimi: Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse; Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve; Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë; Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik.
Në tekstin e deklaratës u tha se ky bashkëpunim është për të siguruar pozicionim të mirë për t’u bërë ballë kërcënimeve dhe për të arritur objektivat e mbrojtjes dhe sigurisë. m.p.