Me gati 6 herë janë ulur kreditë me probleme, krahasuar me 11 vite më parë. Në fund të muajit qershor, Banka e Shqipërisë thotë se huaja e keqe preku nivelin më të ulët historik, prej vetëm 4% ndaj totalit të kredisë që bankat kanë dhënë për ekonominë.
Në raport me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar kredia me probleme është reduktuar me 0.7% sipas raportit.
E përkthyer në vlerë në total në bilancet e bankave tregtare në vend janë 357 milionë euro kredi me probleme ose 17 milionë euro më pak se në qershor të vitit 2024.
Ndikim në këtë reduktim të këtyre kredive të pashlyera në kohë kanë dhënë ulja e interesave, si rezultat i uljes së normës bazë nga Banka e Shqipërisë.
Ulja e interesave i ka bërë më të lira këstet, ndërkohë që edhe zhvlerësimi i valutave po ashtu ndikon pozitivisht në kthimin e kredive që janë marrë në monedhë të huaj.
Po ashtu, pas skandalit me mikrokreditë të vitit të shkuar është vërejtur pagim edhe i kredive që nuk ishin shlyer më parë.
Aktualisht totali i kredisë së dhënë për ekonominë deri në qershor, sipas shifrave të Bankës së Shqipërisë, përllogaritet në 8.9 miliardë euro, nga 7.9 miliardë euro që ishte vjet në të njëjtin muaj.
Rritja e shpejtë e kredisë është nxitur nga kërkesa e lartë për hua si nga bizneset kryesisht për investime, por dhe nga qytetarët që vijojnë të shtojnë borxhet në banka për të blerë shtëpi. m.p.