Për Donald Trump, Alaska mund të jetë tokë ruse. Në dy raste gjatë konferencës në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti amerikan u ngatërrua, duke thënë se të premten do të shkonte në Rusi për të takuar homologun Putin.
Lapsusin e bëri teksa fliste për nivelin e krimit në Uashington, në një podium ku shoqërohej prej Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
“Është një emergjencë tragjike. Është turpëruese për mua të jem këtu”, tha për gazetarët, para se të deklaronte se të premten do të shkonte në Rusi për të takuar Putinin.
Por, Trump nuk do të shkojë në Rusi, por në Alaskë, shtet në ekstremin veriperëndimor të SHBA. Kritikët e zhvillimit të takimit në këtë shtet, kanë kujtuar faktin se Alaska ka qenë koloni ruse para se të blihej nga Amerika në 1867.