Zjarret jashtë kontrollit/ Kërkohet ndihmë urgjente në Gramsh, banorët të bllokuar

Në fshatrat Kullollas, Bletës dhe Menkollarë të Gramshit, nga zjarri masiv janë përfshirë dhe banesa, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.

Burime nga terreni bëjnë me dije se disa banorë kanë mbetur të bllokuar dhe situata është kritike.

Po ashtu dyshohet se edhe ekipet që janë nisur për të evakuar banorët janë bllokuar nga zjarri.

Prej tymit të dendur, nuk mund të afrohen as ambulancat, as zjarrfikësit dhe as autoritetet.

Aktualisht po evakuohet e gjithë njësia administrative Skënderbegas, ndërsa drejt zonës janë nisur edhe 4 helikopterë.

Forcat zjarrfikëse dhe emergjencat civile po punojnë për të vënë nën kontroll flakët, ndërsa kërkohet ndërhyrje urgjente nga autoritetet.

Autoritetet kanë dhënë urdhër evakuimi për banorët e tre fshatrave: Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë, për të shmangur rreziqet e flakëve që po përparojnë me shpejtësi.

Për shkak të situatës së rënduar, bëhet me dije se ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, është nisur drejt Gramshit.

Në terren janë angazhuar 80 forca të Forcave të Armatosura së bashku me njësitë vendore, të cilat punojnë pa ndërprerje për izolimin dhe shuarjen e zjarreve.

Autoritetet apelojnë për bashkëpunim maksimal nga banorët dhe vënë në dispozicion të gjitha burimet për menaxhimin e situatës emergjente./E.T