Vijon të jetë kritike situata nga zjarri në rrethinat e qytetit të Delvinës.
Ndërsa Report Tv ka siguruar pamje nga ‘mbretëria’ e flakëve që përpin gjithçka dhe e shkrumbon në pak çaste, mësohet se vatra po zgjerohet në disa drejtime, po i afrohet puseve të naftës, dy lagjeve dhe spitalit.
Autoritetet qendrore dhe vendore kanë marrë masat për të parandaluar ndonjë tragjedi, teksa banorët dëshmojnë se situata është apokaliptike.
“Po digjen shtëpi, ka panik dhe njerëzit po dalin me mbathje rrugëve, situatë apokaliptike. U dogj gjithçka për 20 minuta. Nuk e di për njerëzit, por nesër mund të shihen dëmet, se drita s’ka dhe shikon vetëm zjarre. Nuk merr dot frymë, të mbyt tymi, na kanë bërë thirrje për t’u larguar. NUk kam parrë situatë të tillë asnjëherë, edhe të huajt janë tmerruar. Iku mbaroi gjithçka, po digjen të gjitha, nuk vihet nën kontroll fare, po zbret poshtë dhe po bëhet shkrumb çdo gjë. Era e shkaktoi të gjithë situatën se është e fuqishme. I kemi larguar familjet, por vetë jemi këtu”, dëshmon një prej tyre.
Gazetari Limos Didani informon se në qytet dëgjohen sirena ambulancash dhe bori makinash.
Një tjetër banor u shpreh i shqetësuar:
“Na dridhet trupi nga frika, gjendja është jashtëzakonisht keq, s’mund ta imagjinoni. Kërkojmë ndihmë, çfarë do bëjmë me 2 zjarrfikëse në këtë katastrofë. Po digjet Xhermallaha dhe Vllahati! Jemi larguar nga banesat, nuk e dimë çfarë bëhet më”.
Ndërsa një tjetër banore e zonës ku ndodhet vatra e zjarrit mes dy kodrave, u shpreh se nuk mund ta linte shtëpinë dhe mallin e të largohej, duke e përshkruar situatën shumë kaotike dhe të frikshme.
“Jemi në panik dhe frikë e madhe, nuk mund ta lë shtëpinë. Zjarri na erdhi në befasi. për pak minuta u dogj gjithçka”./kb