Nga Ermal Mulosmani
Situatat e fatkeqësisë natyrore, si kjo që po shohim këto ditë me zjarret në të gjithë Shqipërinë, janë ndoshta të paparandalueshme por, gjithsesi, janë të menaxhueshme nga pikëpamja e riskut financiar.
Në një botë normale kapitaliste, zjarret masive të pyjeve dhe shtëpive duhej të tmerronin më së shumti Kompanitë e Sigurimeve.
Është vendi këtu për ta përmendur: Siguracioni modern ka lindur si mënyrë për të përballuar Zjarrin e Madh të Londrës të vitit 1666. Aty u dogjën 13.000 shtëpi dhe ishte një katastrofë e përmasave të papara.
Ajo ngjarje e tmerrshme i bëri njerëzit të reflektonin dhe të krijonin një fond sigurimesh. Rreth 5,000 shtëpi u siguruan fillimisht dhe kjo shifër erdhi çdo vit në rritje.
Në botën e sotme perëndimore një shtëpi e pasiguruar është një çmenduri.
Në atë botë katastrofat natyrore janë më së shumti katastrofa financiare të Kompanive të Sigurimeve.
Kur ndodhi tërmeti i vitit 2019, ato pak shtëpi që ishin të siguruara, ishin të parat fare që u rimbursuan.
50 milionë Euro u paguan brenda vitit te pronarët e atyre shtëpiave. Pjesa më e madhe e tyre u paguan nga risigurimet- pra nga sigurimet që kompanitë shqiptare kishin bërë për klientët e tyre në Kompanitë më të mëdhaja ndërkombëtare. Sepse asnjë Kompani nacionale nuk ka kapacitetin për të përballuar dëmtime kaq të mëdhaja. Prandaj, edhe ato sigurojnë veten e tyre.
E njëjta gjë do të ndodhte edhe me zjarret. Nëse Bashkitë do të kishin siguruar zonat kadastrale, pyjet, nëse banorët do të siguronin shtëpitë nga zjarri, sot Kompanitë e Sigurimeve do të ishin të vetmet që do paguanin. Njerëzit as do të thonin “faleminderit” sepse ata do të merrnin shpërblimin e largpamësisë së tyre.
Ndërsa tani të gjithë sytë janë nga shteti. Si gjithmonë, ata duhet të na rindërtojnë shtëpitë, të na japin ushqim, të na strehojnë deri sa të bëhet shtëpitë. Mundësisht edhe të na japin ndonjë para për tronditjen që pësuam.
Përsa kohë do të vazhdojë kjo logjikë, do të vazhdojnë zjarrvëniet e qëllimshme dhe masive. Pasuria e shtetit trajtohet si e askujt.
Ah, nëse rreziku do të shkonte te Sigurimet, atëherë do të ishin ato të interesuara për ruajtjen e pyjeve. Sepse do paguanin për to.
Ky ishte fillimi i një logjike tjetër. Por….