Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se një “takim i dytë i shpejtë” me Vladimir Putinin dhe Volodymyr Zelenskyn ka të ngjarë të pasojë samitin dypalësh të së premtes në Alaska, në rast se ai rezulton konstruktiv.
Duke folur në Qendrën Kennedy në Uashington dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Donald Trump tha se takimi i parë me Putinin do të jetë kryesisht “për të parë se ku jemi dhe çfarë po bëjmë”.
“Nëse takimi shkon mirë”, tha ai, atëherë do të ketë një takim të dytë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky “dhe mua, nëse ata duan që unë të jem atje”.
Presidenti amerikan sqaroi, megjithatë, se ky takim i dytë nuk është i garantuar. “Mund të mos ketë një takim të dytë, sepse nëse gjykoj se nuk është e përshtatshme ta zhvillojmë, sepse nuk mora përgjigjet që duhej, atëherë nuk do ta zhvillojmë”, vuri në dukje ai.
Gjatë konferencës për shtyp, Donald Trump u pyet nëse Rusia do të përballej me pasoja në rast se Vladimir Putin nuk do të pranonte të ndalonte luftën në Ukrainë pas takimit të tyre në Alaska. “Po, do të ketë. Do të ketë pasoja”, u përgjigj në mënyrë kategorike presidenti amerikan.
Kur u pyet nëse këto pasoja do të përfshinin sanksione apo tarifa, Trump u kufizua duke thënë: “Nuk kam pse ta them këtë, do të ketë pasoja shumë serioze”.
Trump foli gjithashtu për videokonferencën e sotme me Zelenskyn dhe udhëheqësit evropianë, duke e përshkruar atë si “shumë të mirë”. “Do t’i jepja një notë 10”, tha ai.
Këto deklarata të tij vijnë në një kohë veçanërisht kritike, pasi pritjet ndërkombëtare për një armëpushim në Ukrainë mbeten të larta, por pasiguria rreth rezultatit të takimit në Alaska është po aq intensive. m.p.