16 gusht 1920 – Lindja e shkrimtarit
Nga Leonard Veizi
Në fytyrën e tij, rrudhat nuk ishin vetëm shenja moshe, por harta e netëve të gjata dhe mëngjeseve pa gjumë. Në dorën e djathtë mbante gjithmonë një cigare të gjysmëdjegur, në të majtën, një gotë me diçka të fortë. Dhe mes tyre, fletoret ku derdhte jetën, pa asnjë filtër, pa frikë nga e vërteta. Çarls Bukovski nuk e shkroi letërsinë për t’u dukur i madh, por për të mos u mbytur…
…”Bukë dhe sallam” – kaq e thjeshtë tingëllon, por kaq thellë më mahniti kjo vepër e Bukovskit. Në mes të erës së tij të papërpunuar, cinizmit të butë dhe poetikës së rrugës, gjeta një ndershmëri që pak shkrimtarë guxojnë ta shfaqin. Ai nuk e zbukuron jetën, nuk i fsheh plagët, por i vendos mbi tavolinë, pranë një gotë birre dhe një cigareje gjysmë të fikur. E prej andej, rrugëtimi më çoi në të tjera vëllime të tij, ku çdo faqe është një grusht i lehtë në stomak dhe një përkëdhelje e heshtur mbi shpatull në të njëjtën kohë.
Fillimet
Më 16 gusht 1920, në Andernah të Gjermanisë, erdhi në jetë Heinrih Çarls Bukovski, njeriu që do të bëhej një nga zërat më të pazëvendësueshëm e më njerëzorë të letërsisë amerikane. Ende foshnjë, fati e shkul nga brigjet e Rinit dhe e hodhi në tokën e Shteteve të Bashkuara, ku ai do të rritej në një qoshe të varfër të Los Anxhelesit. Ky qytet, njëherësh i ndriçuar dhe i mbytur në hije, do të bëhej qarkullimi i gjakut të veprës së tij: i nxehtë, i trazuar, i gjallë.
Bukovski nuk ishte thjesht shkrimtar; ai ishte kronisti i plagëve të jetës, poeti i përditshmërisë së vrazhdë, i tavernave të mbytura në tym, i dashurive që digjeshin shpejt e shuheshin më shpejt, i vetmisë që rri si hije e ftohtë mbi shpinë. Stili i tij nuk pranonte maska: fjalë të zhveshura, të çiltra, të ngopura me sinqeritet brutal dhe ironi therëse që nuk kursente as vetveten. Në çdo fjali gumëzhinte bota e rrugëve, e etjes, e humbjeve – një poezi e gjallë, e palyruar.
Shkrimtari i rrugës
I rritur jashtë mureve të akademisë, ai u formua mes rrugëve, punëve të rënda, bodrumeve ku nata kishte më shumë orë se dita. Ai shkroi siç jetoi: drejt e në zemër të errësirës, aty ku të tjerët besonin se nuk kishte vend për poezi. Nga ky univers lindën poezitë e tij, tregimet dhe romanet – një rrëfim i gjatë e i pandërprerë. Ndër to shquhen “Posta” (1971), një roman me frymë autobiografike mbi vitet e tij si punonjës postar, dhe “Gratë” (1978), një eksplorim i hapur e i trazuar i marrëdhënieve të tij me botën femërore.
Gjatë jetës së tij, Bukovski mori pak vëmendje nga kritikët në Shtetet e Bashkuara, por u prit më mirë në Evropën Perëndimore, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar, e sidomos në Gjermani, ku lindi. Që nga vdekja e tij në mars të vitit 1994, Bukowski ka qenë subjekt i një numri artikujsh dhe librash kritikë si për jetën ashtu edhe për shkrimet e tij.
Ndikimi
Por ndikimi i Bukovskit tejkaloi kufijtë e letërsisë. Ai e rrëzoi idenë e shkrimtarit si një figurë të largët e të idealizuar, duke u bërë simbol i romantikës së të papërshtaturve dhe i rebelëve pa kauzë të lehtë. Më 9 mars 1994, ai u largua nga kjo botë, por la pas një trashëgimi të gjallë, të pangjyrëruar nga koha.
Në çdo varg të tij, ndihet pulsi i njeriut që, përballë mjerimit dhe vetmisë, guxoi të bënte art nga pluhuri i jetës. Ai na la si testament bindjen e thjeshtë por të fuqishme: poezia gjendet kudo – edhe në qoshet më të errëta të ekzistencës.