Porti i Durrësit po përjeton një nga periudhat më intensive të këtij sezoni veror, me një fluks të lartë udhëtarësh dhe automjetesh që hyjnë dhe dalin nga vendi.
Terminali i pasagjerëve, që nga orët e para të mëngjesit e deri në mbrëmje, është i mbushur me qytetarë, duke e shndërruar portin në një nga nyjat më të frekuentuara të qarkullimit ndërkombëtar.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në dy javët e para të muajit gusht, përmes Portit të Durrësit kanë lëvizur gjithsej 117 mijë e 6 udhëtarë dhe 31 mijë e 602 automjete. Këto shifra konfirmojnë intensitetin e qarkullimit dhe rolin kyç të këtij porti, sidomos gjatë periudhës së kthimit masiv të emigrantëve shqiptarë për pushime në atdhe.
Për të përballuar këtë volum të shtuar, Administrata Doganore Shqiptare ka vënë në gatishmëri kapacitete të plota, duke angazhuar staf shtesë dhe duke punuar me turne të zgjeruara.
Sipas autoriteteve, masat e ndërmarra kanë për qëllim garantimin e një procesi të organizuar, efikas dhe të sigurt, si për udhëtarët, ashtu edhe për automjetet që kalojnë përmes portit.
Me afrimin e pikut të sezonit turistik, pritet që fluksi në Portin e Durrësit të vijojë të mbetet i lartë, duke e konsoliduar atë si portën kryesore të hyrjes dhe daljes detare të Shqipërisë./e.t