Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq, reagon familja e Martin Canit

Pas vrasjes së një tjetër 14-vjeçari dy ditë më parë në Maliq ka reaguar familja e Martyin Canit, 14-vjeçari i cili u vra me thikë po nga një bashkëmoshatar te shkolla “Fan Noli” në kryeqytet. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, prindërit e Martin Canit shprehen se kjo tragjedi tregoi që mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik.

“Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka radhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?”, thuhet në deklaratan e prindërve të Martinit.

Ata kërkojnë nga qeveria masa konkrete për përmirësimin e sigurisë në shkolla për të parandaluar tragjedi të tilla. Sipas tyre 14-vjeçarë nuk u vranë nga rrjetet sociale por nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve.

“Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh. Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet”.

Ata i shprehin ngushëllimet familjes së të miturit në Maliq dhe apelojnë që tragjedi të tilla të mos përsëriten më.

Lexo edhe :  Kosova arreston një shtetas të Serbisë për sulm ndaj policëve në Jarinjë!

“Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj”./kb