Kur një imazh bëhet më i fortë se një mijë fjalë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

19 Gushti – Dita e Fotografisë

Nga Leonard Veizi

Në epokën e modernitetit të skajshëm, mbushur me tinguj, fjalë e zhurmë, fotografia mbetet arti i heshtur që flet me më shumë forcë se çdo oratori. Është një gjuhë universale, e përbashkët për çdo kontinent, çdo kulturë e çdo brez. Nuk ka nevojë për përkthyes, sepse fuqia e saj qëndron në çastin e ngrirë, në çastin e kapur midis jetës dhe përjetësisë. Një foto mund të jetë kujtim i thjeshtë familjar, por mund të shndërrohet edhe në dëshmi historike që trondit ndërgjegjen e botës…

…Nuk është rastësi që 19 gushti festohet si Dita Botërore e Fotografisë. Kjo datë lidhet me shpalljen zyrtare të shpikjes së daguerrotipit në Francë më 1839 – një teknikë revolucionare e zhvilluar nga Lui Dager, që do t’i jepte njeriut mundësinë e parë për të kapur realitetin mbi një sipërfaqe metalike të ndritshme. Nga ai çast, historia e njerëzimit nisi të mos shkruhej vetëm me fjalë, por edhe me dritë e hije.

Çasti që ndryshon botën

Në rrjedhën e shekujve, disa fotografi janë ngjitur përtej kufijve të estetikës. Ato nuk janë më thjesht pamje, por ikona të kujtesës kolektive, dëshmi që flasin për luftëra, dashuri, tragjedi, triumfe e shpresë. Le të ndalemi tek disa prej tyre:

“Vajza me napalm” – 1972

Nik Ut, fotoreporteri vietnamez i Associated Press, kapi imazhin e vogëlushes Kim Fuku që vraponte lakuriq në rrugë, e përfshirë nga flakët e napalmit. Kjo foto u bë simbol i mizorive të Luftës së Vietnamit dhe tronditi botën përtej çdo raporti politik. Një çast që ndryshoi perceptimin e opinionit publik perëndimor ndaj luftës.

“Njeriu Tank” – Pekin, 1989

Një njeri i vetëm, me një qese ushqimore në dorë, qëndron përballë një kolone tankesh në Sheshin Tiananmen. Emri i tij mbetet anonim, por fotografia e Xhef Uajdëner është bërë metaforë e guximit individual përballë fuqisë shtypëse të një shteti.

“Puthja në Tajms Skueër” – 1945

Alfred Eisenstaedt fotografoi një marinar që puthte një infermiere në mes të turmës së Nju Jork-ut, më 14 gusht 1945, ditën e fitores mbi Japoninë. Ky çast spontan përmbledh euforinë dhe çlirimin emocional të një bote që dilte nga errësira e Luftës së Dytë Botërore.

“Vdekja e një republikani” – 1936

Robert Kapa, mjeshtri i fotografisë së luftës, kapi momentin fatal kur një luftëtar republikan spanjoll goditet nga plumbi. Shumëkush debatoi mbi autenticitetin e saj, por ajo mbetet imazhi më i fortë i një beteje të humbur për lirinë.

“Earthrise” – 1968

Astronauti William Anders, gjatë misionit Apollo 8, fotografoi Tokën duke lindur mbi horizontin hënor. Një planet i vogël blu, i brishtë, i vetëm në mes të errësirës së universit. Fotografia ndezi ndjenjën e përbashkët të një njerëzimi të vetëm dhe frymëzoi lëvizjen ekologjike moderne.

“Migruesja” – 1936

Dorotea Langë realizoi portretin e Florens Ouëns Tompson, një nënë e varfër me fëmijët e saj në Kaliforni, gjatë Depresionit të Madh. Ky imazh u bë simbol i vuajtjes sociale dhe i forcës së nënës për të përballuar çdo stuhi.

Lexo edhe :  Kur frika zëvendëson drejtësinë, "Shtrigat e Salemit" nga historia në dramë

“Fëmija i urisë dhe korbi” – 1993

Fotografia tronditëse e Kevin Karter në Sudan, ku një korb priste pas një fëmije të uritur që mezi zvarritej drejt një kampi ndihme. Një imazh i errët i indiferencës botërore, që i solli autorit çmimin Pulitzer, por edhe një barrë të rëndë shpirtërore.

Fotografia shqiptare

Fotografia shqiptare ka lënë gjurmë, ndonëse nuk ka pasur gjithmonë të njëjtin ndikim ndërkombëtar si fotot ikonike botërore. Megjithatë, disa momente e figura të saj janë të rëndësishme:

Marubi – pionierët shqiptarë

Në shekullin XIX, Pietro Marubi dhe më pas Kel Marubi e Gegë Marubi ngritën në Shkodër një nga studiot më të hershme fotografike në Ballkan. Fototekat e tyre dokumentuan jetën shqiptare për më shumë se një shekull, nga portretet aristokratike e deri tek luftëtarët popullorë. Arkivi Marubi sot ruhet si pasuri kombëtare dhe është një nga koleksionet më të mëdha historike fotografike në Europë.

Gjon Mili – shqiptari në histori botërore

Emri më i madh shqiptar në historinë e fotografisë është padyshim Gjon Mili (1904–1984), fotografi i LIFE Magazine. Ai u bë i famshëm për eksperimentet me dritën, sidomos për fotot e tij me Picasso-n që vizaton me dritë dhe me balerinat që lëviznin në errësirë, duke lënë gjurmë drite pas trupit. Këto imazhe nuk janë thjesht fotografi, por art i pastër vizual, që e vendosën Mesin e Devollit në elitën botërore të fotografisë.

Fotografia si kujtesë e gjallë

Në të gjitha këto raste, fotografia nuk është vetëm një dritare e së shkuarës. Ajo bëhet pjesë e ndërgjegjes universale, një kujtesë që na ndjek, na pyet dhe na sfidon. Në kohën kur teknologjia e ka demokratizuar artin fotografik, duke i dhënë mundësinë çdo njeriu të mbajë një aparat në xhep, sfida nuk është më tek kapja e çastit, por tek thellësia e tij.

Çdo ditë, miliarda imazhe shpërndahen nëpër rrjete sociale, por vetëm pak prej tyre kanë forcën për të qëndruar, për të prekur thelbin njerëzor. Pikërisht për këtë arsye, 19 gushti nuk është vetëm një datë për të kujtuar shpikjen e një teknike, por një ditë reflektimi mbi fuqinë e imazhit për të ndryshuar mënyrën se si e shohim botën.

Nga drita tek përjetësia

Një fotografi është një thërrime kohe e bërë përjetësi. Ajo është poezi e heshtur, letërsi e shkruar me dritë. Nuk është rastësi që shumë prej fotove më të njohura botërore kanë ndikuar mbi vendime politike, mbi shoqëri, mbi breza të tërë.

Në fund, 19 gushti na rikujton se fotografia nuk është thjesht arti i të parit, por edhe arti i të kujtuarit. Është urë mes brezave, mes vuajtjes dhe gëzimit, mes kujtesës dhe harresës. Çdo klik i aparatit mbart brenda një mundësi për të kapur një çast që mund të ndryshojë historinë.

Të fundit

Britania e Madhe: Gati të dërgojmë trupa për Ukrainën

Mbretëria e Bashkuar ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa dhe për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe protet e...

Digjen katër automjete të ushtrisë gjermane, zjarr i qëllimshëm

Katër automjete të parkuara të ushtrisë gjermane u dogjën plotësisht në orët e para të së martës në Kassel. Sipas hetimeve të deritanishme të policisë...

U helmuan nga ushqimi, shënohet viktima e dytë në Itali

Një ngjarje tragjedi është regjistruar në qytetin italian të Cagliarit, ku kanë mbetur dy viktima pas helmimit në një festiva. Helmimi ushqimor ndodhi gjatë festivalit...

Takimi Zelensky-Putin, në skenë del… Budapesti

Shtëpia e Bardhë po e shqyrton kryeqytetin hungarez Budapestin si një vend për të pritur një samit të mundshëm trepalësh midis Presidentit të SHBA-së...

“Çfarë dreqin po thotë ky?!” Giorgia Meloni bëhet virale

Kryeministria italiane Giorgia Meloni ka qenë një prej politikanëve të rëndësishëm, që morën pjesë në takimin me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, për...

Lajme të tjera

Web TV