Përveç luftës me Rusinë, Ukraina tashmë do duhet të përballet me një tjetër shqetësim që vjen nga Hungaria.
Tensionet midis dy vendeve u përshkallëzuan pasi Ukraina bombardoi tubacionin e naftës Drushba në territorin rus, duke ndaluar në këtë mënyrë edhe furnizimin me naftë në Sllovaki dhe Hungari.
Hungaria të hënën bëri një kërcënim të fshehur për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike për Ukrainën, ndërsa përshkallëzohet debati diplomatik mbi dëmtimin e tubacionit Druzhba.
Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó ka kritikuar autoritetet ukrainase për kryerjen e sulmeve në tubacion, duke i përshkruar ato si “të shëmtuara dhe të papranueshme” dhe duke shkruar se “kushdo që sulmon sigurinë tonë energjetike, në fakt, po sulmon sovranitetin tonë”.
Tubacioni Druzhba transporton naftë nga Rusia në Evropën Qendrore përmes Ukrainës dhe Bjellorusisë. Hungaria dhe Sllovakia janë të vetmet shtete anëtare të BE-së që ende marrin sasi të mëdha nafte ruse nga tubacionet, pasi siguruan përjashtime nga sanksionet e bllokut që synojnë eksportet e naftës ruse. m.p.