Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e 14-vjeçarit Erald Xhejo më 14 Gusht në Pirg të Maliqit. Adoleshenti u qëllua me thikë në zemër për arsye banale nga bashkëmoshatari Enedio Guri. Ky i fundit u arrestua nga policia ndërsa ka shprehur pendesë për krimin e kryer.
Burime bëjnë me dije se vrasja e Xhejos është filmuar nga kamera e lokalit “Amar” pranë të cilit ndodhi krimi. Mësohet se pamjet filmike janë në dosjen hetimore. Enedio Guri e ndjek Eraldo Xhejon me thikë në dorë ndërsa ky i fundit përpiqej të largohej dhe të mbrohej. Fatkeqësisht, Xhejo u qëllua në kraharor.
Goditja fatale i mori jetën të miturit ndërsa ekspertiza konfirmoi plagën në kraharor si shkak të vdekjes. Krimi i rëndë tensionoi situatën mes dy familjeve.
Gjykata e Korçës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për autorin Enedio Guri 14 vjeç, babain e tij, Edison Guri, xhaxhain Roland Guri dhe mikun e babait, 34-vjeçari Flori Çela. Këta të fundit kanë kryer veprime që kanë penguar në zbulimin e së vërtetës, duke fshehur thikën me të cilën u krye vrasja, largimin nga vendi i ngjarjes së autorit dhe fshehjen e 14-vjeçarit fillimisht me qëllim shmangien e policisë, por më pas u arrestua.
Familjarët e viktimës Xhejo kanë paralajmëruar një hakmarrje të mundshme ndërsa forca të shumta policie janë shtuar në fshat me qëllim parandalimin e ndonjë krimi tjetër të mundshëm.
Për këtë krim, policia dhe prokuroria e Korçës arrestuan për akzuën e “Moskallëzimit të krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, të miturit K. Andoni, V. Vangjeli, A. Miti dhe kushëritin e këtij të fundit, O.Miti, të cilët kanë qenë prezen në vendin e ngjarjes.
Pas mbledhjes së të gjitha provave, u konfirmua autorësia e 14-vjeçarit Enedio Guri. Një konflikt i mëhershëm mes adoleshëntëve përfundoi në një tragjedi. m.p.