Partia Demokratike denoncon me forcë një aferë të re dhe tepër të rëndë korruptive, e cila cenon drejtpërdrejt sigurinë kombëtare të vendit. Në maj të vitit 2024, kryeministri Edi Rama krijoi shoqërinë ‘KAYO’, duke emëruar në krye ish-drejtorin famëkeq të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun. Një nga kompanitë e përfshira është TIMAC shpk, e cila është promovuar personalisht nga vetë Edi Rama. Në datën 17 qershor 2025, znj. Puca shiti 49% të aksioneve të TIMAC shpk për vetëm 490 euro mikut të afërt të Edi Ramës, z. Ron Yeffet.
Vetëm pak javë pas këtij transaksioni të dyshimtë, më 4 gusht 2025, KAYO bashkëthemeloi me TIMAC shpk kompaninë TIMAC Defence, ku 80% zotërohen nga TIMAC dhe 20% nga KAYO e Ardi Veliut, me kapital fillestar prej vetëm 35 mijë eurosh.
KAYO bashkëthemeloi me kompaninë MSSC (në pronësi të Emiljano Dushës) kompaninë MKD, Myslym Keta Defence, me administrator Gentian Karaj, ku MSSC zotëron 80% dhe KAYO 20% të aksioneve, sërish me kapital minimal prej 35 mijë eurosh.
Të gjitha këto kompani, me kapital qesharak, pretendohet se do të ndërtojnë industrinë e prodhimit të armëve në Shqipëri, një projekt jo vetëm i pashembullt në absurditetin e tij, por edhe thellësisht i rrezikshëm për shkak të mungesës së transparencës.
Partia Demokratike i bën thirrje të gjitha institucioneve shtetërore, përfshirë organet e drejtësisë, që: Të nisin menjëherë një hetim të plotë dhe transparent për këtë aferë. Të verifikojnë ligjshmërinë, kriteret dhe standardet e sigurisë kombëtare të kompanive të krijuara. Të ndalojnë çdo veprim që rrezikon pasuritë strategjike dhe pronat ushtarake të vendit. m.p.