20 gusht 1968 – rrëzohet Pranvera e Pragës apo: socializmit me fytyrë njerëzore
Nga Leonard Veizi
Në agimin e 20 gushtit 1968, Praga u zgjua nën gjëmimin e tankeve dhe marshimin e ushtarëve të huaj. Trupat e Traktatit të Varshavës, të dërguara nga Bashkimi Sovjetik, hynë me dhunë në zemrën e Çekosllovakisë për të shuar një ëndërr që sapo kishte nisur të merrte formë – Pranverën e Pragës. Qytetarët, të habitur e të guximshëm, dolën përballë tankeve me duar bosh, me flamuj kombëtarë dhe me thirrje për liri. Sheshet u mbushën me zëra që kërkonin të drejtën për të jetuar ndryshe, ndërsa mbi kryeqytet rëndonte hija e një perandorie që nuk pranonte sfida ndaj pushtetit të saj.
Shpresa e re e vitit 1968
Në fillim të vitit 1968, Çekosllovakia përjetoi një ringjallje politike e shoqërore të udhëhequr nga Aleksander Dubçek, sekretari i parë i Partisë Komuniste Çekosllovake. Ai shpalli programin e “socializmit me fytyrë njerëzore”, që synonte:
-liberalizimin e mediave dhe lirisë së shprehjes,
-lehtësimin e censurës,
-rritjen e të drejtave qytetare,
-reformimin e ekonomisë drejt një modeli më të hapur,
-kufizimin e pushtetit të policisë sekrete.
Këto ndryshime u pritën me entuziazëm nga qytetarët, por me ankth nga udhëheqja sovjetike dhe aleatët e saj të Paktit të Varshavës.
Reagimi sovjetik
Bashkimi Sovjetik, i udhëhequr nga Leonid Brezhnev, i pa reformat si kërcënim për kontrollin ideologjik mbi bllokun lindor. Frika e Moskës ishte se liberalizimi i Çekosllovakisë do të krijonte një “efekt domino” në vendet e tjera socialiste. Për muaj të tërë, udhëheqësit sovjetikë u përpoqën ta bindnin Dubček-un të tërhiqej, por pa sukses. Më pas, u vendos ndërhyrja ushtarake.
Pushtimi i gushtit 1968
Më 20–21 gusht 1968, rreth 500,000 trupa të Paktit të Varshavës nga Bashkimi Sovjetik, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Gjermania Lindore (por jo Rumania) pushtuan Çekosllovakinë.
“The New York Times” citoi raporte për 650,000 burra të pajisur me armët më moderne dhe të sofistikuara në katalogun ushtarak sovjetik.
Tanket sovjetike u vendosën në Pragë dhe qytete të tjera kryesore. Pushtimi vrau më shumë se 100 njerëz dhe shkatërroi përpjekjet e atij vendi për të reformuar sundimin komunist.
Popullsia reagoi me protesta paqësore, ndalonte tanket, hiqte shenjat rrugore për t’u humbur orjentimin pushtuesve, dhe valëvisnin flamujt çekosllovakë si shenjë sfide.
Pavarësisht rezistencës civile, pushtimi u konsolidua shpejt. Udhëheqja reformatore u arrestua dhe u detyrua të braktiste projektin e saj.
Fundi i një ëndrre
Pushtimi i gushtit shënoi fundin e Pranverës së Pragës. Filloi periudha e ashtuquajtur “Normalizim”, ku censura u rikthye, liritë qytetare u shtypën dhe mijëra intelektualë, studentë e punëtorë u përjashtuan nga jeta publike ose u detyruan të emigronin.
Megjithatë, shpirti i rezistencës nuk u shua. Në janar të vitit 1969, një student i ri, Jan Pallak, në shenjë proteste kundër pushtimit dhe humbjes së lirisë, iu vuri flakën vetes në sheshin Wenceslas të Pragës. Vdekja e tij tronditi botën dhe u bë simbol i sakrificës për lirinë.
Reagimi i Shqipërisë
Qëndrimi i Shqipërisë ndaj pushtimit të Çekosllovakisë në gusht 1968 ishte i ashpër dhe unik në botën socialiste, sepse Tirana doli hapur kundër Bashkimit Sovjetik dhe Traktatit të Varshavës. Shqipëria ishte e vetmja anëtare e Paktit të Varshavës që kritikoi publikisht ndërhyrjen sovjetike. Enver Hoxha dhe udhëheqja komuniste shqiptare e dënuan hapur pushtimin e Çekosllovakisë, duke e quajtur një “akt agresioni imperialist të tipit fashist” dhe një tradhti ndaj parimeve të socializmit.
Si pasojë e kësaj ngjarjeje, më 5 shtator 1968, Shqipëria shpalli zyrtarisht daljen e saj nga Pakti i Varshavës. Argumenti kryesor ishte se Pakti nuk kishte më karakter mbrojtës, por ishte shndërruar në një instrument për të nënshtruar kombet e tjera socialiste.
Pas prishjes përfundimtare me Moskën, Shqipëria u lidh edhe më ngushtë me Republikën Popullore të Kinës, duke u pozicionuar si shteti më pro-kinez në Evropë.
Propaganda zyrtare filloi të theksonte se vetëm “linja marksiste-leniniste e vërtetë” e udhëhequr nga Shqipëria dhe Kina mund t’i qëndronte përballë revizionizmit sovjetik.