21 gusht 1831
Më 21 gusht 1831, në Southampton County, Virxhinia, shpërtheu një nga kryengritjet më të njohura dhe më të përgjakshme të skllevërve në historinë e SHBA-së. Udhëheqës i saj ishte Nat Turner, një skllav afro-amerikan i cili ishte gjithashtu predikues fetar dhe i njohur për vizionet mistike që ai i interpretonte si shenja të Zotit.
Organizuesi
Turner besonte se ishte i dërguar për të udhëhequr bashkëvuajtësit e tij drejt lirisë. Ai organizoi fshehurazi një grup prej disa dhjetëra skllevërish, të cilët natën e 21 gushtit nisën sulmet kundër pronarëve të bardhë. Kryengritësit vranë rreth 55 deri në 60 persona të bardhë, përfshirë burra, gra dhe fëmijë, duke përhapur frikë të madhe në gjithë Virxhinian.
Kryengritja zgjati dy ditë. Më pas ajo u shtyp me dhunë nga milicia dhe vullnetarë të armatosur. Rreth 100 deri në 120 skllevër u vranë në hakmarrje, shumë prej tyre pa qenë pjesëmarrës në rebelim.
Nat Turner u fsheh për rreth gjashtë javë, por më pas u kap. Ai u gjykua dhe u ekzekutua me varje më 11 nëntor 1831.
Pasojat
Kryengritja tronditi shoqërinë amerikane, sidomos shtetet jugore. Autoritetet miratuan ligje edhe më të ashpra që kufizonin lirinë e skllevërve dhe madje edhe të zezakëve të lirë.
U ndaluan predikimet dhe mbledhjet fetare të zezakëve pa praninë e të bardhëve.
Ngjarja thelloi frikën e një kryengritjeje të përgjithshme dhe forcoi sistemin e skllavërisë, por njëkohësisht u bë një simbol frymëzues për lëvizjet abolicioniste në veri.
Përgatiti: L.Vezi